Telegrafi

Floktari i Ronaldos është therur për vdekje në një hotel në Zvicër

(Foto: Instagram/The Sun/Daily Mail)

Një stilist flokësh i të famshmëve, i njohur më së shumti si ‘floktari i Cristiano Ronaldos’, është therur për vdekje në një dhomë hoteli në Zvicër.

Ricardo Marques Ferreira është identifikuar si i vrarë, pasi është gjetur nga një pastruese në një hotel në lagjen Albisrieden të Cyrihut.

Tabloidi portugez Correio da Manha e ka lidhur pikërisht me superyllin portugez duke e etiketuar atë si ‘stilisti i Cristiano Ronaldos’, duke qenë se në të kaluarën kishte publikuar  fotografi duke ia rregulluar flokët 34-vjeçarit, transmeton The Sun.

Ricardo Marques Ferreira dhe Cristiano Ronaldo (Foto: Instagram/The Sun)

Trupi i pajetë është gjetur në krevat me shumë plagë shpuese në trup, ndërsa thika nuk është gjetur në skenën e vrasjes. Në ndërkohë thuhet se policia e ka arrestuar një të dyshuar.

Trupi i tij është gjetur në një hotel në Albisrieden të Cyrihut (Foto: Google/Daily Mail)

Ricardo, i cili ka qenë i njohur me nofkën Caju, ka jetuar në Cyrih në dy vitet e fundit, ndërsa në javën e fundit ka qëndruar në hotelin ku është vrarë. /Telegrafi/

Ricardo Marques Ferreira (Foto: Instagram/The Sun)