Site icon Telegrafi

Flini gjatë natës me perdet e hapura, mendojeni përsëri

Një studim i ri ka gjetur një sërë problemesh shëndetësore për personat që flenë pa perde për shkak të dritës artificiale që hyn në dhomë.  

Sipas studiuesve në Kinë, lënia hapur e perdeve gjatë gjumit mund të rrisë rrezikun e një goditjeje me 43 për qind, pasi ndotja nga drita pengon pushimin cilësor dhe ngarkon organet e trupit, shkruan Metro.co.uk.

Shkencëtarët analizuan të dhënat e mbledhura nga mbi 28 mijë njerëz për të gjetur ndikimin e ndërprerjes së gjumit – dhe duket se ka një lidhje të qartë.

“Studimi ynë sugjeron se nivelet më të larta të ekspozimit ndaj dritës artificiale të jashtme gjatë natës mund të jenë një faktor rreziku për sëmundjen cerebrovaskulare”, ka thënë Jain-Bing Want, një ekspert i shëndetit publik i përfshirë në studim.

“Prandaj, ne këshillojmë njerëzit, veçanërisht ata që jetojnë në zonat urbane, të marrin në konsideratë reduktimin e atij ekspozimi për të mbrojtur veten nga ndikimi i tij i mundshëm i dëmshëm”, shtoi ai.

Sipas hulumtimit, ekspozimi ndaj dritës së ndritshme gjatë natës “mund të çojë në ritmin cirkadian të trupit që shtyp sekretimin e melatoninës”.

Ambienti më i mirë për gjumë cilësor

Për të përmirësuar kushtet e gjumit për pushim optimal, duhet ta mbani dhomën sa më të errët të jetë e mundur ose të mbani një maskë gjumi.

“Errësira është thelbësore për gjumin”, thotë Dr Neil Stanley për Metro.co.uk. “Edhe sasitë e vogla të dritës mund të jenë shkatërruese për gjumin dhe sa më ndritshme dhoma juaj e gjumit, aq më i rëndë është problemi”.

Ai gjithashtu rekomandon që dhoma juaj të jetë në temperaturën e duhur (rreth 16-18°C) dhe të mos jeni shumë të ngrohtë nën mbulesa. Kjo është për shkak se trupi juaj duhet të humbasë nxehtësinë gjatë natës, kështu që të qenit shumë i ngrohtë mund t’ju shqetësojë gjumin. /Telegrafi/

Exit mobile version