Site icon Telegrafi

Flick vlerëson mentalitetin e Barcelonës pas fitores së çmendur ndaj Benficës në Ligën e Kampionëve

Barcelona është bërë një nga dy skuadrat, së bashku me Liverpoolin, që kalojnë  automatikisht në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve dhe këtë e bënë duke fituar ndeshjen e tyre të gjashtë radhazi në këtë garë. Megjithatë, kjo fitore në Benfica nuk ishte aspak e thjeshtë, me tre gola në 20 minuta duke parë katalanasit të rikthehen nga 4-2 për ta çuar ndeshjen në fitore me rezultatin 5-4.

Hansi Flick kishte mbikëqyrur më parë një ndeshje me 10 gola në Estadio da Luz, teksa Bayern Munich e mposhti në mënyrë famëkeqe Barcelonën me rezultat 8-2 në 2020, dhe tani ai ka arritur një fitore me nëntë gola në të njëjtin stadium.

Duke folur për Movistar+, gjermani reflektoi për fitoren në Lisbonë, ndërsa vlerësoi mentalitetin me të cilin luajtën lojtarët e tij gjatë 96 minutave.

“Ishte një lojë e çmendur. Gjëja më e mirë ka qenë mentaliteti. Ky është futbolli. Nuk mendoj se kam përjetuar ndonjëherë një rikthim si ky. Ata ishin shumë të mirë në tranzicione dhe na kanë shënuar mirë. Na detyruan të mbroheshim shumë thellë, pasi nuk ishim të pozicionuar mirë. Zëvendësimet na ndihmuan shumë”, ka thënë fillimisht Flick.

 

Ndeshja pati mjaft dramë, por edhe shumë gabime. Ëojciech Szczesny ishte në zemër të tyre në pjesën e parë, teksa i dhuroi Benficës golin e dytë të mbrëmjes përpara se të jepte një penallti për Vangelis Pavlidis për të shënuar het-trikun e tij. Ishte paraqitja e parë e polakut në Ligën e Kampionëve për Barcelonën, por Flick mbrojti vendimin e tij për të luajtur me veteranin përpara Inaki Pena.

“Cili lojtar nuk gabon? Ne të gjithë i bëjmë ato. Ne fitojmë dhe humbasim së bashku. Më pëlqeu ajo që pashë (nga ai) në pjesën e dytë”, përfundoi gjermani.

Barcelona pret Atalantën në ndeshjen e saj të fundit të Ligës së Kampionëve në mesjavën e ardhshme, dhe megjithëse ata tashmë janë të sigurt se do të përfundojnë brenda tetëshes më të mirë, Flick do të dëshirojë që skuadra e tij ta fitojë atë ndeshje për të siguruar një fund të përsosur në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/

Exit mobile version