Site icon Telegrafi

Flet privatizuesi i Brezovicës: S’na intereson politika!

Përpjekja e privatizimit të qendrës së skijimit në Brezovicë ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, për shkak të rrezikut të prishjes së objekteve ekzistuese, uzurpimit jolegal të tokës dhe ndryshimit të strukturës etnike të të punësuarve, shkruan e përditshmja serbe Novosti.

Paskal Ru, president i konsorciumit francez “MDP Consulting”, i cili me autoritetet në Prishtinë në bazë të parimit të partneritetit publiko-privat arriti marrëveshje për koncesion prej 99 vjetësh, ka thënë për Novostin se nuk ka qenë qëllimi i tij të merret me politikë, por që nga Brezovica të krijojë një qendër moderne të skijimit.

“Qeveria në Prishtinë ka shpallur tender dhe është e natyrshme që kemi biseduar me ta. Është e vërtet se ndodhemi në një territor me një histori intensive. Por, projekti ynë është multietnik dhe do të duhej t’i kontribuonte pajtimit. Qëllimi ynë është që nga ky projekt të përfitojë e gjithë popullsia e kësaj ane. Të gjithë duhet ta gjejnë veten në këtë projekt”, ka thënë Ru, transmeton televizioni publik.

Ai thekson se krahas qendrës së skive, paralelisht në nivelin lokal do të duhej të zhvillohej edhe bujqësia, ndërtimtaria, ofrimi i shërbimeve etj.

“Do të krijojmë kushte që i gjithë ky rajon të jetë atraktiv”, ka shtuar Ru.

Ai më tej ka thënë se për investitorët francezë ky projekt nuk ka kurrfarë sfondi politikë.

“Ne nuk merremi me politikë. Vetëm duam që të gjithë nga ky projekt të kenë dobi ekonomike dhe dobi tjera”.

Sipërmarrësi francez gjithashtu ka thënë se ka për qëllim që të bisedojë edhe me autoritetet lokale.

“Tash, kur e kemi kontratën, do të shkojmë në bisedime edhe me përfaqësuesit dhe qytetarët e Shtërpcës. Ata i njohin alpet e tyre, territorin dhe historinë. Njerëzit duhet ta dinë se dëshirojmë të punojmë me ta. Të gjithë janë të nevojshëm”.

Paskal Ru e pranon se nuk ka pritur një vëmendje kaq të madhe të mediave kur ka hyrë në këtë projekt.

“Kam dëgjuar se flitet për atë se ne do t’i largojmë njerëzit dhe do t’i privatizojmë këto alpe. Nuk ka asgjë të vërtetë këtu. Synimi ynë është zhvillimi i resurseve. Dëshirojmë të krijojmë një qendër skijimi me standarde botërore. Ky është një rast i mirë për të gjithë komunitetin”.

Exit mobile version