Site icon Telegrafi

Flet autori i vrasjes në Laknas: Më ofendoi, në gjaknxehtësi mora armën e qëllova

Ka dalë në media dëshminë e Maliq Markut, personit i cili ditën e djeshme ekzekutoi me armë zjarri fqinjin e tij Shefqet Hasa, si dhe plagosi një tjetër shtetas të identifikuar si Besim Keça në zonën e Laknasit në Kamëz.

Para oficerëve të policisë gjyqësore, Marku, shfaqi shenja pendese dhe deklaroi se ai kërkoi të sqarohej me fqinjin dhe nuk kishte qëllim vrasjen e tij.

Sipas 70-vjeçarit, viktima e ka ofenduar dhe e ka kërcënuar në lidhje me një kanal që ka qenë “molla e sherrit”.

Siç pretendon autori, viktima i ka shkuar në banesë dhe i ka thënë se nuk ka asnjë shans ta bëj kanalin. Po ashtu ai pohon se nga gjaknxehtësia ka marrë armën dhe i ka qëlluar.

Autori i vrasjes kishte 7 ditë që ishte kthyer nga Anglia dhe kishte kërkuar që kanalizimet e ujërave të zeza në banesën e tij t’i kalonte në një kanal që ishte hapur më parë nga banorët. Viktima, së bashku me disa banorë të tjerë të zonës e kanë kundërshtuar e për pasojë, debati ka degjeneruar në përdorimin e armës.

Marku e ka qëlluar 4 herë Hasën në derën e shtëpisë së tij dhe 2 herë Keçën. Në banesën e autorit nuk banonte askush pasi jetonin prej dy vitesh në Angli, raporton Euronews Albania. /Telegrafi/

Exit mobile version