Arbnora Fejza-Idrizi nga Skenderaj, është duke tentuar të thyej rekordin e tretë në Librin e rekordeve (Guinness), kësaj radhe me një punim shumë të veçantë.
Me teknikën origami, ajo ka realizuar flamurin e Kosovës të madh mbi 1,200 metra katrorë. Në një intervistë për Telegrafin, Arbnora Fejza-Idrizi ka treguar për mënyrën e realizimit të këtij punimi.
Ajo ka bërë të ditur se për t’i përgatitur letrat me të cilat është realizuar ky punim i ka marrë kohë katër muaj.
“Për katër muaj, unë së bashku me një nxënëse Edonën, kemi punuar nga katër orë në ditë për t’i bërë gati 127 mijë e 400 copa letre dhe flamurin e kemi realizuar 1200 metra katrorë”, u shpreh ajo.
Fejza-Idrizi ka bërë të ditur se e gjithë kjo po bëhet për nderë të 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
“Duke shikuar listimet e rekordit se çfarë rekorde po bëhen në botë pash se një shkollë në Mongoli mbante rekordin për një flamur gjigand dhe mendova që për nderë të festës së pavarësisë t’ia bëjë dhuratë shtetit tim. Që me flamurin gjigand ta paraqesë Kosovën në botë. Kam dashur që t’i tregoj botës se edhe pse jemi vend i vogël mund të realizojmë vepra të mëdha”, u shpreh Fejza-Idrizi, për Telegrafin.
Ajo ka treguar se të shtunën kanë arritur ta finalizojnë tërë punimin e këtij flamuri brenda dite, së bashku me një ekip prej 25 vetave ku kanë qenë nxënës dhe studentë.
“Ka qenë e vështirë sepse radhitja është dashur të vëzhgohet kohë pas kohe dhe në çoftë se tejkalohen rendet atëherë kemi pasur mundësi me pas vështirësi tjera sepse atëherë devijon puna”, u shpreh Fejza-Idrizi.
Copat e letrës të cilat janë vendosur për të realizuar këtë flamur gjigand, Arbnora Fejza-Idrizi thotë se i kanë vendosur pa përdorur ngjitës.
“Kemi pasur mundësi që ta përdorim edhe ngjitësin, mirëpo unë kam dashur që ta sfidojë vetën pa e përdorur ngjitësin”, u shpreh ajo.
Në fund të kësaj interviste Arbnora Fejza-Idrizi tregoi se do të tentoi për të shënuar edhe rekordin e katër në Librin e rekordeve (Guinness), e kjo ndoshta do të bëhet edhe me flamurin kombëtar kuq e zi.
Kujtojmë se Arbnora Fejza-Idrizi ka arritur që dy herë radhazi të hyjë në Librin e rekordeve (Guinness) me punimet e saja prej letrës. /Telegrafi/