Site icon Telegrafi

Flaka: Jam rritur mes rokut dhe hip-hopit, do të bashkëpunoja me Adelina Ismailin (Video)

(Foto: Facebook/FlakaKrelani)

Flaka Krelani ka qenë e ftuar në emisionin Pop Culture, ku ka folur për fillimet e karrierës në muzikë dhe projektin e saj më të fundit. Këngëtarja nga Kosova ka thënë se është rritur me dy botë shumë të ndryshme të muzikës, rok dhe hip-hop.

“Kur isha më e vogël kam qenë më rebele, në aspektin që doja ta paraqitja veten më rokere, sepse mendoja që roku ma tregonte më shumë karakterin”.

“Në anën tjetër mendoja pjesën që pse nuk dola edhe më e butë si R&B, sepse edhe R&B edhe hip-hop më pëlqejnë shumë. Kam menduar me kalimin e kohës t’i bashkoja të dyja,” është shprehur ajo.

Këngëtarja ka folur dhe për “Experimental”, albumin e saj të parë, edhe pse pak të vonuar.

Lexo po ashtu Flaka Krelani imitoi Adelina Ismailin në "YFSF", por pa hatërmbetje dy këngëtaret pozojnë së bashku (Foto)

“Duke qenë se kam pasur gjithmonë idenë të marr pjesë në festivale dhe të performoj më shumë live, albumi ka qenë plan i fundit. Kam pasur qejf t’i bëj më vonë, por më saktë edhe për të përmbledhur disa stile të muzikës në një album”, ka deklaruar më tej.

Flaka ka theksuar se “Experimental” është një album që përfshin të gjithë jetën e saj.

“Experimental ka tekste emocionuese, sentimentale, tema sociale, gjithçka që e përfshin jetën time. Kam më shumë dëshirë të fokusohem te ajo që është realitet. Albumi ka 16 këngë, disa prej tyre kanë dalë në treg para se ai të lansohej”, ka shtuar këngëtarja.

Ndërkohë, e pyetur nëse ka ndonjë këngëtare me të cilën do donte të bashkëpunonte, Flaka dha emrin e Adelina Ismailit.

(Foto: Instagram/Flaka.Krelani)

Ndërkaq, kur është pyetur nga nikoqirët se nëse do të bashkëpunonte me Era Istrefin, përgjigja e këngëtares ka qenë po ashtu pohuese.

Exit mobile version