Manifestimi shumëkulturor “Flaka e Janarit 2019”, i cili këtë vit mbahet për herë të 28-të në Gjilan nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, Lutfi Hazirit, i kushtohet 20-vjetorit të çlirimit të Gjilanit.
Për dallim prej viteve paraprake, më 11 janar është ndezur Flakadani tek sheshi “Rexhep Mala e Nuhi Berisha”. Por, manifestimi zyrtarisht do të hapet sot me Akademinë e Flakës kushtuar 20-vjetorit të çlirimit (16:00), për të pasuar në ora 17:00 me hapjen e ekspozitës së arteve figurative, të cilat kohëve të fundit po cilësohen si arte pamore.
Më 19 janar do të mbahet tryeza historike kushtuar veprës së kolosit Mulla Idriz Gjilani, ku pritet të flasin historianët, për të vazhduar me një Akademi përkujtimore më rastin e 13-vjetorit të ndarjes nga jeta të presidentit Ibahim Rugova më 21 janar.
Pjesa artistike e Akademive do të pasurohet me program muzikor mjaft atraktiv nga Kori i Qytetit të Gjilanit dhe Kori “Siparantum”.
Pas një koncerti të muzikës serioze në mbrëmjen e 21 janarit, ku do të performojnë artistë të kësaj fushe nga Shqipëria, pason “Talia e Flakës”, ku auditorit gjilanas e më gjerë do t’i paraqiten pesë shfaqje teatrore nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.
Si rëndom, edhe këtë vit fëmijët gjilanas do t’i bashkëngjiten këtij Manifestimi me “Xixat e Flakës” (28 janar), për të kulmuar me dy veprimtaritë qendrore të artit letrar dhe atij muzikor, “Pena e Flakës” dhe “Fest Flaka”. /KP/