Telegrafi

Fjalimi emocional i grimerit Mario: Sot, për herë të parë qëndroj me shumë krenari si 37-vjeçar ‘gay’

Mario Dedivanovic konsiderohet të jetë njëri prej grimerëve më të suksesshëm shqiptarë, i cili tash e një kohë punon me yje të famshme botërore, përfshirë edhe superyllin televiziv, Kim Kardashian.

I njëjtë së fundmi ka fituar çmimin “American Influencer Awards” dhe ishte pikërisht mikesha e tij e ngushtë, Kim, ajo e cila ia dorëzoi çmimin në skenë, pasi 37-vjeçari u ngjit i emocionuar dhe jo më kot.

Në ndërkohë, një video e përgatitur enkas për një ditë të veçantë si ajo, ka shfaqur edhe familjarët e grimerit teksa rrëfenin rrugëtimin e tij drejt majave ku qëndron sot.

Mario Dedivanovic e pranon se është gay (Foto: YouTube)

“Mbante një kuti me make up. U përpoqëm ta ndalonim, por ai vazhdoi përpara”, ka treguar mes të tjerash, motra e Marios.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Mario Dedivanovic

Mes emocionesh e lotësh, grimieri ka bërë thirrje për shqiptarët, që të hapin sytë e zemrën, pasi sipas tij shumë fëmijë në botë rriten mes frikërash, dhimbjesh e mendimesh për vetëvrasje, vetëm nga ankthi se familjarët nuk do t’i pranojnë duke qenë ndryshe.

Kim Kardashian dhe Mario Dedivanovic (Foto: YouTube)

“Ne nuk jemi ndryshe. Jemi njësoj si gjithë të tjerët, të drejtuar nga dëshira për t’u dashur. Sot, për herë të parë qëndroj me shumë krenari si 37-vjeçar gay! Dhe në fund të ditës, ndihem i lumtur sepse jam unë”, ka thënë Mario mes lotësh.

Prej 19 vitesh karrierë si artist grimi, ky ka qenë një ndër momentet më emocionuese të Dedivanovic e njëherësh ka treguar shumë gjëra të rëndësishme për jetën e tij.

Mario dhe Kim po ashtu pritet që së shpejti të vijnë me një tjetër linjë të përbashkët kozmetike, megjithëse punojnë së bashku që nga viti 2008. /Telegrafi/