Deputeti i arrestuar Milaim Zeka në seancën për caktimin e masës së sigurisë i ka kërkuar falje prokurorit Afrim Shefkiu.
“Afrimit i kërkoj falje publikisht nëse e ka marrë personalisht, unë kam familje dhe nuk jam rrugaç me e kërcënuar”, ka deklaruar Zeka para gjykatës.
Zeka në fjalën e tij ka deklaruar se është i shokuar nga kërkesa për paraburgim.
Ai tutje ka thënë se përmendja e kanunit nuk nënkupton kërcënim.
“Vetë presidenti i vendit Hashim Thaçi ka deklaruar publikisht se do te merrem vesh me kanun me familjen e Gani Gecit, Haki Imerit e plotë. Domethënë kanuni nuk nënkupton kërcënim. Unë kam dëgjuar edhe gjatë procesit tim gjyqësor 4 vjeçar me EULEX-in edhe gjyqtarët e EULEX-it ju kanë referuar kanunit si e drejtë zakonore dhe aty edhe ose se kam kuptuar mirë kanunin për mua kanuni nënkupton marrëveshje dhe pajtim”, ka thënë ai.
Zeka ka theksuar se te çështja privatisht ai ka dashur të thotë se “përmes Këshillit Prokurorial edhe Gjykata vendore me padi private kam me i ndjek të gjithë akterët që ma kanë montuar rastin e vizave”, tha Zeka.
Ai para gjykatës tha se kurrë nuk do të përmend emrin Afrim Shefkiu derisa të përfundojë procesi gjyqësor ndaj tij.
“Për hir të respektit ndaj Gjykatës deri sa të përfundoj procesi im gjyqësor që do të filloj me 2 tetor në jetën time nuk do ta përmend emrin e prokurorit Afrim Shefkiu dhe prapë po them kurrë në jetë nuk kam kërcënuar e as që do të kërcënoj dhe nuk kam kurrfarë pretendimi ndaj tij”, tha Zeka, duke shtuar se “krejt kjo fjali është nxjerrë në kontekst”.
Deputeti Milaim Zeka, tha se nuk ka asgjë kundër prokurorit Afrim Shefkiu dhe se po të kishte do të kërkonte përjashtimin e tij nga rasti.
Ndërsa avokati i Milaim Zekës, Florent Latifaj tha se kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit e kundërshtojnë në tërësi si të pabazuar.
E Prokurori Rexhep Maqedonci tha se kërkesën e tij për caktimin e paraburgimit e ka të bazuar në vet deklaratën e prokurorit Afrim Shefkiu, i cili në këtë rast është si palë e dëmtuar.
“Kërkesën e kemi parashtruar për shkak të dyshimit të arsyeshëm që ka kryer veprën penale të kanosjes. Pas vlerësimit të kallëzimit penal, provave materiale të siguruara nga policia, deklaratën e të dëmtuarit prokurorit Afrim Shefkiu ekziston dyshimi i bazuar që i pandehuri e ka kryer veprën penale të lartpërmendur andaj kërkojmë që të pandehurit të i caktohet paraburgimi”, tha prokurori Maqedonci. /kallxo.com/