Telegrafi

Fjalët e Messit kur Cavani deshi të përleshej me të, Godin e Suarez ndërhynë për t’i qetësuar

(Foto: Screenshot/Twitter/AFP/Getty Images/TycSports)

Ndeshja ndërmjet Argjentinës dhe Uruguait u shoqërua edhe me disa tensione në fushë që kulmuan me zënkën ndërmjet dy yjeve kryesore të përfaqësueseve respektive, Lionel Messi dhe Edinson Cavani.

Të dy lojtarët shënuan gola në barazimin prej 2-2 në miqësoren e zhvilluar në Izrael, porse ngjarja më e përfolur është ajo që ndodhi në fushë ndërmjet tyre.

Lexo po ashtu Deklarata e Cavanit pas zënkës me Messin

Teksa është përpjekur t’i mësojë fjalët e thëna, gazeta argjentinase Ole raporton se Cavani i kishte ofruar Messit një përleshje fizike. Zënka e nisur në fushë kishte vazhduar edhe në tunel rrugës për në zhveshtore, pasi kishte përfunduar pjesa e parë e takimit.

Superylli i Barcelonës citohet t’i ketë reaguar uruguaianit me fjalët: “Kurdo që të duash”, kur sulmuesi i Paris Saint-Germainit i kishte bërë ofertë për përleshje fizike.

Ndërsa më herët ishte raportuar se Messi i ka thënë Cavanit që t’i merrte të gjithë bashkëlojtarët për t’u përleshur.

Në ndërkohë, është dashur intervenimi i Luis Suarez (bashkëlojtarit të Messit te Barca) që t’i qetësonte gjakrat ndërmjet dy futbollistëve.

Edhe Diego Godin është përpjekur ta bëjë rolin e pajtuesit, ndërsa në fund të takimit Cavani dukej i disponuar duke thënë se gjëra të tilla ndodhin në futboll. /Telegrafi/