Trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Gianni de Biasi është shprehur pas takimit se kjo ishte ndeshja më e bukur e Shqipërisë në Euro 2016.
Armando Sadiku i siguroi fitoren Shqipërisë duke shënuar në minutën e 43, duke i dhënë një shans Shqipërisë për të kaluar fazën e grupeve.
“Sigurisht është ndeshja më e bukur e turneut, ditë të bukura kemi përjetuar gjatë këtyre katër viteve por kjo është fitore historike për Shqipërinë. Ishte një ndeshje shumë emocionuese, besoj se kemi bërë një ndeshje të mirë kundër Rumanisë, dhe kjo ishte rezultati i vetëm që na duhej dhe ia arritëm me sukses”, është shprehur De Biasi.
Ai ka thënë më tutje se kjo Shqipëri ka merituar më shumë në dy ndeshjet e kaluara kundër Zvicrës dhe Francës, por është i lumtur me fitoren e sotme.
“Sinqerisht besoj meritonim më shumë në dy ndeshjet e para, por kemi vuajtur fillimin e pjesëmarrjes në një turne të tillë. Sot ishim më të freskët në fushë dhe morëm rezultatin e merituar”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.
De Biasi më tutje gjithashtu ka thënë se tifozët shqiptarë janë krenar me këtë skuadër.
“Besoj se tifozët shqiptarë janë të kënaqur dhe krenar për atë që ka dhënë ekipi në këto tre ndeshje. Skuadra sot luajti shumë më mirë, besoj në forcat e saj dhe besoj se e merituam fitoren”, ka thënë De Biasi.