Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, ka vendosur t’u japë një shpërblim të majmë futbollistëve, në rast se fitojnë Ligën e Kampionëve.
Finalja zhvillohet këtë të shtunë në “Millennium Stadium” të Cardiffit.
Sipas medias italiane, shifra që do të përfitojë secili prej futbollistëve të “Zonjës së Vjetër” është 350 mijë euro, 50 mijë më e lartë sesa premtimi i bërë përpara dy vitesh për finalen e Berlinit.
Por edhe nëse humbasin, lojtarët bardhezinj do të kenë përfitime ekonomike. Arritja në fazën finale të këtij kompeticioni u siguron atyre plot 270 mijë euro secili.
Në total, shifra e shpërblimit e akorduar në rast fitoreje të Ligës së Kampionëve, për Juventusin është 9.1 milionë euro.
Sigurisht kjo vlerë monetare është e garantuar nga UEFA dhe sponsorët, e Agnelli vendosi ta përdorë për të motivuar edhe më shumë futbollistët, për të sjellë në Torino trofeun më të rëndësishëm evropian për klube, që bardhezinjve u mungon që nga viti 1996.