Istogu ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Të shtunën Istogu e mposhti Kastriotin e Ferizajt me rezultatin 46-23. Ndeshja i takoi xhiros së 11-të dhe për istogaset ishte fitorja e njëmbëdhjetë. Istogu udhëheq në tabelë me 22 pikë.
Esma Muratoviq e Anja Bojaniq shënuan nga tetë gola për Istogun. Nga shtatë i kishin kapitenia Albina Rugova dhe Pranvera Ferataj.
Te Kastrioti më efikaset ishin Elza Reçica e Vahide Gashi me nga katër gola. Kastrioti renditet i pesti me 13 pikë.
Edhe kampionia aktuale, Vushtrria, ka shënuar fitore të thellë. Vushtrria e mposhti Vjosën me rezultat 40-20. Luljeta Sopjani me 10 gola dhe Burneta Rama e Gentiana Basholli me nga shtatë, ishin më efikaset te Vushtrria që renditet e treta me 18 pikë. Vjosa Imeri, Benita Shabani e Blerina Hasani shënuan nga pesë gola për Vjosën e vendit të tetë.
Fitore kanë shënuar edhe dy skuadrat tjera favorite. Ferizaj e mposhti Shqiponjën me 38-33, ndërsa Prishtina ka fituar ndaj Ulpianës me 38-13.