Site icon Telegrafi

Fitorja e madhe juridike e Republikës së Kosovës

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”

Kjo është pika e parë e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Fjali të shkurta, të qarta e shumë domethënëse. Fjali që do e përcaktonin kuptimin e shtetësisë së Kosovës. Fjali që më vonë do ia mbyllnin të gjitha rrugët për të pretenduar ende mbi Kosovën, vendit fqinj Serbisë.

Duke e marrë për bazë pikën 1 të deklaratës, por edhe pjesë tjera të deklaratës, ku thuhej “Ne, udhëheqësit e popullit tonë”, Serbia i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të kundërshtuar legjitimitetin e Kuvendit të Kosovës dhe deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Pala serbe, duke u thirrur në Rezolutën 1244, pretendonte se ky akt është miratuar nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë.

Mirëpo, deklarata i thoshte të gjitha; “Të zgjedhur e popullit, në mënyrë demokratike”. Pra, të gjithë deputetët, përfshi edhe ata nga pakicat, kanë qenë të zgjedhur nga qytetarë të Republikës së Kosovës.

Në korrik të 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha legjitimitet të plotë pavarësisë së Kosovës që ishte shpallur 2 vjet e gjysmë më herët.

Deputetja Vjosa Osmani, që në atë kohë ishte pjesë e palës kosovare në mbrojtjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në një bisedë të gjatë për Gazetën Jeta në Kosovë, tregoi për punën dhe prapaskenat e procesit të GJND-së.

“Serbia kryesisht është mbështetur në çështje siç janë parimi i integritetit territorial por edhe në kompetencat e parapara në Rezolutën 1244 sepse ata pretendonin se pavarësia është shpallur nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes, të cilat nuk mund të bënin një gjë të tillë sipas Rezolutës 1244. Prandaj, ata konkludonin se me shkeljen e Rezolutës 1244 është shkelur e drejta ndërkombëtare”, këto ishin pretendimet e Serbisë, sipas Vjosa Osmanit.

Mirëpo, sipas Osmani, asnjëra nga pretendimet e palës serbe nuk ishin të sakta, sepse as e drejta ndërkombëtare e as Rezoluta 1244, nuk e ka ndaluar shpalljen e pavarësisë.

“Pjesa më interesante ka qenë argumentimi rreth autorëve të shpalljes së pavarësisë. Gjykata u pajtua me argumentet e Kosovës se autorë të shpalljes së pavarësisë nuk kanë qenë institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes (të parapara në Rezolutën 1244) por kjo deklaratë ka qenë shprehje e vullnetit të popullit të Kosovës, vullnet ky i cili është shprehur nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur”, tha Osmani për gazetën Jeta në Kosovë.

Në përballjen në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë qenë rreth 40 shtete që kanë marrë pjesë në dorëzimin e argumenteve me shkrim, ndërsa ka qenë një numër i më i vogël i prezantimit të argumentit me gojë para gjykatës.

“Diku rreth 10-12 shtete në prezantimin e tyre me shkrim kanë qenë ose në favor të Serbisë, ose deri diku neutralë. Ndërkaq thuaja dyfish më shumë shtete kanë përkrahur Kosovën me argumentet e tyre”, tha në mes tjerash deputetja Osmani.

Mirëpo jo gjithçka, kishte qenë e lehtë në atë kohë. Pala kosovare e kishte pasur problem sigurimin e dokumentacioneve që është dashur t’i paraqesë para gjykatës. Në disa raste, dokumentet e nevojshme nuk kanë qenë fare në Kosovë, por jashtë vendit.

Vjosa Osmani kujton që me raste kanë pasur problem, që si juristë t’i bindin politikanët kosovarë për qasjen e argumenteve që do të përdoren.

“Nganjëherë ka qenë vështirë që ne si juristë të bindim disa përfaqësues politikë pse kishim vendosur të shkojmë me një qasje të caktuar për disa prej argumenteve, mirëpo më në fund ajo qasje doli të jetë e drejtë dhe ka qenë determinuese në fitoren e Kosovës para GJND-së”, tha Vjosa Osmani.

Përveç kosovarëve, në ekipin mbrojtës kishte pasur edhe të huaj. Institucionet e atëhershme kishin angazhuar tre avokatë ndërkombëtarë në ekipin përfaqësues, Sir Michael Wood, Prof. Sean Murphy dhe Daniel Muller.

Ndërsa nga vendorët në ekipin juridik kishte qenë Vjosa Osmani dhe Prof. Qerim Qerimi.

Krejt kjo, në aspektin politik ishte udhëhequr nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës që atëherë drejtohej nga Skender Hyseni.

Sipas Osmani, rol të madh në pjesën e argumenteve historike kundër Serbisë ka luajtur edhe nga autori i librit “Kosovo, a Short Histori”, Noel Malcolm.

“Më duhet ta përmend që sidomos për pjesën e argumenteve historike kishim një ndihmë të madhe nga prof.Noel Malcolm nga Universiteti i Oxfordit, i cili po ashtu është autor i librit ‘Kosovo, a Short History’”, tha tutje Osmani.

Në vitin e shpalljes së pavarësisë në Kosovë ishte krijua koalicioni i madh, PDK e LDK, ku kryeministrin e kishte PDK-ja, ndërsa LDK-ja Presidentin, Fatmir Sejdiu.

Osmani kujton që në atë kohë kishte pasur konsensus politik në Kosovë sa i përket çështjes së ballafaqimit në GJND.

“Ka pasur konsensus të plotë, dhe përveç përkrahjes së institucioneve nga të cilat ishim emëruar, puna jonë në asnjë moment nuk është kontestuar as nga opozita e atëhershme. Pra qëllimi i përbashkët i të gjithëve ka qenë që të paraqesim argumentet e Kosovës sa më mirë, sepse atje përfaqësonim shtetin dhe jo partitë politike”, kujton Osmani rastin e GJND-së.

E çfarë rëndësia ka pasur fitorja e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për të ardhmen e saj, deputetja Osmani e përshkruan shkurt, fitore të betejës juridike.

“Fitorja e Republikës së Kosovës në rastin para gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë (GND) është beteja më e rëndësishme e fituar pas shpalljes së pavarësisë. Përderisa shpallja e pavarësisë ishte fitore e betejës sonë politike shumë-shekullore dhe realizim i aspiratave të shumë gjeneratave për të parë Kosovën shtet të pavarur, në GJND fituam betejën tonë juridike sepse u konfirmua se deklarata jonë e pavarësisë nuk përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, tha Osmani.

Mirëpo, kjo fitore në GJND, sipas saj, nuk është shfrytëzuar sa duhet nga institucionet kosovare, mirëpo kjo nuk e ndalon Kosovën që ta shfrytëzoj tash e tutje.

“Fatkeqësisht, nuk është shfrytëzuar sa duhet, por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të shfrytëzohet tash e tutje. Ka shumë shtete, sidomos ato që janë larg gjeografikisht dhe nuk e kanë Kosovën në agjendën e tyre, të cilat ka nevojë të informohen jo vetëm për mendimin e GJND-së dhe rëndësinë e tij në procesin e shtet-ndërtimit në Kosovë, por edhe për shumë zhvillime të tjera në procesin e konsolidimit të shtetësisë”, tha Osmani. /Gazeta JnK/

Exit mobile version