Site icon Telegrafi

Fitorja e gjashtë radhazi për Golden Eagle Yllin, triumfon në udhëtim te Vëllaznimi

(Foto: basketbolli.com)

Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore në udhëtim ndaj Vëllaznimit me rezultat 77-80 (16:17, 22:28, 24:16, 15:19), në xhiron e 12-të të Prince Caffe Superligës.

Takimi ishte shumë interesant, me kthesa dhe në një atmosferë fantastike që u vendos fituesi në sekondat e fundit.

Mysafirët e nisën ndeshjen shumë më mirë, me një seri prej 0:8, ku vendasit nuk shënuan pothuajse pesë minuta, e më pas epërsia thellohet në 1:12, megjithatë, kuqezinjtë shpejt këndellën dhe afrojnë shifrat në 16:17, me një trepikësh në sirenën e fundit nga Burim Zekiqi. Lojë e barabartë u zhvillua në pesë minutat e para të pjesës së dytë, por në fundin e kësaj pjese, therandasit ishin më të mirë, duke shkuar në pushim me rezultat 38-45.

Ylli në periodën e tretë kishte epërsi deri në 11 pikë, 44:55, por nga ky moment skuadra nga Gjakova fillon një seri të suksesshme dhe kalon në epërsi 59:57, ndërsa shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 62:61. Ndeshje shumë interesante dhe dramatike u zhvillua deri në fund, ku të dy skuadrat kishin mundësi të fitonin, por më të vëmendshëm ishin kampionët, ndërsa vendasit nuk e shfrytëzuan një aksion në fund dhe rezultati përfundimtar ishte 77-80.

Te Vëllaznimi u dallua Damonte Dodd me 21 pikë e 17 kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli u dallua Bashir Ahmed me 27 pikë e pesë kërcime.

Kuqezinjtë kanë pesë fitore e shtatë humbje, kurse therandasit gjashtë fitore e katër humbje.

Exit mobile version