Tahir Batatina është shprehur tejet i lumtur me fitoren që Llapi e mori në start të edicionin 2022/23 në BKT Superligën e Kosovës.
Llapjanët fituan 1-0 në udhëtim te Drenica, duke i dhënë vetës një start të mirë.
Batatina këtë fitore tha pas ndeshjes se ua dedikon tifozërisë së tyre “Legjendat”, derisa ishte i kënduar edhe me lojën e lojtarëve të tij.
“Ndeshjet e para janë të vështira. Kemi bërë lëvizje të qëlluara, të cilat besoj se mund të jenë zëvendësues për lojtarët e larguar”, ka deklaruar fillimisht strategu i Llapit pas ndeshjes për Art Sport.
“Ndeshjet e para duhet të fitohen dhe jo të luhet bukur. Ndeshjet e para janë të vështira edhe në Evropë. Llapi erdhi për të shënuar një gol dhe për të marrë tri pikë gjë që e arritëm”.
“Motivi ndaj Llapit është i madh pasi jemi ekip me dy trofe. Terreni nuk ishte në nivelin e duhur. Drenica bëri maksimumin. I përgëzoj djemtë për angazhimin”.
“Fitorja është për Legjendat. Ne kemi synime të qarta të jemi sa më lartë në tabelë dhe pse jo të marrim atë që nuk e kemi arritur deri më tani”, ka shtuar më tej Batatina. /Telegrafi/