Fitore identike për Houston Rockets dhe Golden State Warriors me dy skuadrat që vazhdojnë garën në distancë për vendin e parë në Konferencën e Lindjes.
Vazhdojnë të kryesojnë Rockets që nuk dinë më të ndalen. Houston regjistroi fitoren e 14-të radhazi, pasi triumfoi edhe në udhëtim përballë Los Angeles Clippers me rezultatin 102-95.
Falë një çereku të parë fantastik, në fund të të cilit skuadra teksane kryesonte me 22 pikë avantazh, sfida në Staples Center nuk kishte më histori, me Houstonin që më pas administroi rezultatin duke u lejuar Clippersave thjeshtë të ngushtonin shifrat, transmeton SuperSport. James Harden me 25 pikë dhe Clint Capela e Eric Gordon me nga 22 ishin dy basketbollistët më të mirë mbi parket për Rockets në këtë përballje.
Vijon serinë e fitoreve radhazi edhe Golden State Warriors. Kampionët në fuqi të NBA, iu falën dyshes Durant-Curry për të bërë detyrën në udhëtim ndaj Washington Wizards. Në Capital One Arena, Warriors triumfuan me rezultatin 109-101, në një sfidë ku Kevin Durant realizoi 32 pikë ndërsa Stephen Curry shtoi 25 të tjera.
Koleksionoi fitoren e radhës edhe Toronto Raptors, me skuadrën kanadeze që vazhdon të kryesojë Konferencën e Lindjes. Në Florida sfida përballë Orlando Magic nuk kishte aspak e vështirë për Toronton që arriti të fitonte me shifrat e thella 117-104. DeMar DeRozan me 21 pikë dhe Kyle LowRry me 17 pikë dhe 11 asistime dhe shtatë kërcime ishin dy basketbollistët që udhëhoqën skuadrën kanadeze drejt suksesit të radhës në NBA.
Për vendin e parë në Lindje që mbahet nga Raptors, gjithsesi nuk dorëzohet Boston Celtics. Vazhdon të fitojë edhe skuadra më e titulluar e basketbollit amerikan. Në TD Garden, Kyrie Irving realizoi 34 pikë në suksesin fantastik 134-106 të Celtics ndaj Charlotte Hornets.
Me 26 pikë dhe 15 kërcime nga Anthony Davis dhe 25 të tjera nga Holiday, New Orleans Pelicans dhuroi befasinë e madhe në mbrëmjen e NBA, pasi mposhti brenda në Teksas, San Antonio Spurs me rezultatin 121-116.