Kuvendi i Kosovës është duke debatuar për raportin e Bashkimit Evropian (BE) për Kosovën, i iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje (VV).
Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli ka theksuar se raporti i Bashkimit Evropian (BE) për Kosovën është më tepër raporti i regresit se sa raport i progresit.
Ajo këto deklarata i ka bërë në foltoren e Kuvendit të Kosovës.
Pacolli ka kritikuar institucionet dhe Qeverinë e Kosovës, që sipas saj, po tenton që këtë raport ta paraqes si pozitiv.
“Në këtë raport paraqiten çështje në të cilat kanë ngecur të gjitha qeveritë që nga Pavarësia e Kosovës. Problem paraqiten emërimet partiake nëpër borde dhe ndërmarrje publike. Raporti tërheq vërejtje për sistemin e drejtësisë, ku numri i dënimeve përfundimtare dhe konfiskimi i aseteve mbetet i vogël”, ka shtuar Pacolli.
Ajo ka thënë raporti i BE-së konstaton që vendi mbetet në fazë të hershme të zhvillimit ekonomik, derisa thotë se ka pasur rritje të papunësisë tek të rinjtë, gratë, duke bërë kështu sipas saj, që Kosova të mbetet vendi më i varfër në rajon.
“Aty theksohet se kemi një sistem të arsimit të dobët, ku vetëm 18 për qind e fëmijëve janë të sistemuar nëpër çerdhe. Poashtu kemi një gjendje të rënduar në sistemin e shëndetësisë, ku rreth 30 për qind e qytetarëve nuk arrin t’i marrin shërbimet shëndetësore. Problemet me lirinë e shprehjes ka përkeqësim të situatën, ku vetëm gjatë vitit 2017 evidentohen 24 incidente”, ka shtuar Pacolli. /Telegrafi/