Site icon Telegrafi

Fitore e vështirë, por shumë e rëndësishme e Barcës ndaj Valladolidit

(Foto: Twitter/FC Barcelona)

Barcelona ka arritur një fitore të vështirë, por shumë të rëndësishme përballë Real Valladolidit (1-0), për ta përforcuar pozitën e vet në garën për titullin e kampionit të Spanjës.

Kenan Kodro pati rastin e parë të mirë për mysafirët, ndërsa më vonë gjatë gjysmës së parë, Lionel Messi humbi një shans të mirë shënimi.

Në minutat shtesë të fraksionit të parë, Pedri rrezikoi për vendasit, mirëpo Jordi Masip nuk lejoi që të prekej rrjeta e tij.

(Foto: Twitter/FC Barcelona)

Në gjysmën e dytë, Blaugranët i intensifikuan sulmet, kurse dy raste të njëpasnjëshme i patën Ousmane Dembele e Antoine Griezmann. Në një aksion të mirë ishte edhe Jordi Alba, por zgjodhi të pasonte në vend të goditjes dhe gaboi.

Derisa kalonin minutat, ishte një moment i dyshimtë penalltie për vizitorët, porse pas konsultimit të VAR-it, gjyqtari Santiago Jaime Latre vendosi se nuk kishte njëmbëdhjetëmetërsh.

(Foto: Twitter/FC Barcelona)

Nga minuta e 78-të, Valladolidi luajti me një lojtar më pak në fushë, pasi gjyqtari vendosi ta përjashtonte me karton të kuq futbollistin Oscar Plano.

Katalunasit nuk i ndalën përpjekjet deri në minutën e fundit, mirëpo nuk arrinin ta thyenin ekipin kundërshtar që nuk dorëzohej dhe përgatiste kundërsulme, përkundër inferioritetit numerik në fushë.

(Foto: Twitter/FC Barcelona)

Dhe në minutën e fundit të kohës së rregullt, Ousmane Dembele reagoi në mënyrë fantastike duke goditur me të majtën me vole dhe realizoi golin e fitores (90’).

Falë kësaj fitoreje, Barcelona e ka ngushtuar në një pikë diferencën me liderin Atletico Madrid dhe do të na presin javë të zjarrta në garën për titullin e La Ligas.

Real Valladolidi mbetet në pozitën e 16-të në renditje me vetëm tri pikë larg zonës së rrezikut për të rënë nga liga. /Telegrafi/

https://twitter.com/ElForastero1982/status/1379175179843219458

Standings provided by SofaScore LiveScore
Exit mobile version