Telegrafi

Fitore e vështirë e Gjilanit ndaj KEK-ut

Gjilani ka shënuar fitore tejet të vështirë përballë KEK-ut 2-0 ku të dy golat u shënuan në fundin e ndeshjes.

Vendasit që nga fillimi i takimit ishin më të mirë dhe sulmonin vazhdimisht portën e mysafirëve.

Fiton Hajdari dhe Keita Razak kishin raste të mira në pjesën e parë, por që pa arritur të shënonin gol.

Pjesa e parë përfundoi ashtu siç filloi me rezultat të barabartë 0-0.

Gjilani vazhdoi dominimin edhe në pjesën e dytë, ku provuan Asani, Perez e Hajdari.

Por tifozët e pranishëm në stadium u desh t’i prisnin minutat e fundit të ndeshjes për t’i parë golat.

Ishte minuta e 93-të, kur Shpend Asani i vendasve realizoi golin e parë pas një goditje të fuqishme brenda zonës për 1-0.

KEK-u u hodh në sulm për ta barazuar rezultatin, ndërsa pranoi edhe golin e dytë pas një kundërsulmi të vendasve.

Ishte sulmuesi Wilber Perez që realizoi lehtësisht për 2-0.

Pas kësaj fitore Gjilani ngritët në pozitën e pestë në tabelë me 32 pikë të tubuara.

Ndërkohë KEK-u mbetet në pozitën e fundit në tabelë me vetëm një pikë. /Telegrafi/