Sigal Prishtina ka mposhtur Pejën në superderbin e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve me rezultat 79-73.
Sigal Prishtina e nisi shumë më mirë takimin, duke arritur të realizonte pikë të lehta falë depërtimeve të suksesshme të Hajrizit dhe Delic, të cilët ishin të pandalshëm nën kosh.
Peja nga ana tjetër nuk lejoi shkëputjen e madhe të Prishtinës në më shumë se katër pikë në fraksionin e parë.
Në çerekun e dytë Peja tentoi të kapte epërsinë falë lojës së shpejtë të dirigjuar nga Alban Veseli, i cili hapte lojtarët për tri pikë dhe madje realizoi edhe vet treshe, duke bërë që rezultati të mos jetë më i thellë se gjashtë pikë në fund të pjesës së parë të takimit.
Në çerekun e tretë Prishtina shfrytëzoi prezencën fizike në ‘paint’ duke konkretizuar aksionet sërish me Delicin dhe Hajrizin, me çka arriti suksesshëm të nxirrte edhe shumë ndërhyrje të palejushme gjatë realizimit të këtyre pikëve.
Nga ana tjetër, Prishtina falë mbrojtjes së fortë zonale “2-3” arriti që të kufizojë maksimalisht Pejën nga distanca perimetri, aspekt i lojës ku pejanët u bazuan qysh nga fillimi, pasi depërtimet nuk po funksiononin për shkak të mbrojtjes së fortë, prezencës fizike dhe freskisë që bënte lituanezi Prakuraitis duke bërë rotacion me lojtarët e tij.
Në fund të takimit, Peja provoi duke provuar të pamundurën kryesisht nga distanca dhe nga kundërsulmet, por nuk ia arriti të zvogëlojë disavantazhin në më pak se gjashtë pikë.
Më i miri te Sigal Prishtina ishte Drilon Hajrizi me 25 pikë, 5 kërcime, 5 asistime dhe 4 topa të vjedhur, i përcjellë nga Nenad Delic me 25 pikë dhe 8 kërcime.
Te Peja ishte Alban Veseli me 22 pikë, 8 kërcime dhe 4 asistime ai që u tregua më efikas, përcjellë nga Abramovich që shtoi edhe 15 pikë të tjera.
Me këtë fitore Sigal Prishtina okupon pozitën e parë në tabelën e Superligës së Kosovës në basketboll dhe bën një hap të madh drejt titullit duke siguruar praktikisht pozitën e parë dhe avantazhin e terrenit vendas për playoff i cili nisë në fillim të muajit maj. /Telegrafi/