Telegrafi

Fitore bindëse për skuadrat e kreut në Superligën e hendbollit në konkurrencën e femrave

(Foto: kosovahandball.info)

Skuadrat e kreut nuk kanë pasur telashe të shtunën në ndeshjet e javës së 18-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.

Lideri Istogu, ka shënuar fitoren e 18-të rresht dhe udhëheq në tabelë me 36 pikë. Istogaset fituan në Gjakovë ndaj Vëllaznimit me rezultat 37-19. Natalija Milatoviq e Anja Bojaniq shënuan nga tetë gola për Istogun. Këtë shifër golash e kishte edhe Bora Zejnullahu e Vëllaznimit. Vëllaznimi është i teti me 12 pikë.

Vushtrria fitoi ndaj Ulpianës me 36-19. Luljeta Sopjani udhëhoqi për numrin e golave, duke realizuar 12 herë për Vushtrrinë. Tri lojtare të Ulpianës i shënuan nga pesë gola. Vushtrria është e treta me 28 pikë. Ulpiana është e 11-ta me gjashtë pikë.

Ferizaj fitoi si mysafir ndaj Samadrexhës me rezultat 28-20. Ana Luisa Chaves me shtatë gola ishte më efikasja te Ferizaj. Te Samadrexha 7 gola i shënoi Donjeta Mehmeti. Ferizaj është i katërti me 28 pikë. Samadrexha renditet e nënta me 9 pikë.

Fitore si mysafir ka shënuar edhe Jusuf Gërvalla. Skuadra deçanase e mposhti Vjosën me rezultat 36:30. Jusuf Gëvalla mban vendin e shtatë me 14 pikë. Vjosa është e dhjeta me tetë pikë.