Site icon Telegrafi

Fitoi 1.5 milion euro në lotari, dëshiron të padis organizatorët e lojës shpërblyese për një arsye bizare (Foto)

Një vajzë e cila ka fituar në lotari 1.5 milion euro është duke menduar të padis organizatorët e lojës shpërblyese, pasi që thotë se paratë e kësaj loje shpërblyese i “kanë shkatërruar jetën”.

Jane Park nga Edinburgu i Skocisë, ishte vetëm 17-vjeçe kur në vitin 2013 fitoi çmimin kryesor. Tani ajo posedon dy shtëpi dhe thotë se edhe pse miqtë e saj janë nën stres për shkak të pagave të vogla, “atë askush nuk po mund ta kuptojë”, transmeton Telegrafi.

Ajo thotë se është duke menduar që ta padis Lotarinë Kombëtare të Britanisë së Madhe për neglizhencë.

Në kohën kur kishte fituar shpërblimin kryesor ajo punonte një punë që paguhej nga 12 euro për një orë, dhe jetonte me nënën. Pasi fitoi lotarinë qerasi veten me një veturë të tipit Range Rover, çanta sportive dhe një qen.

Përkundër faktit që nga Lotaria Kombëtare ka marrë këshilla financiare, ajo konsideron se kjo fitore i ka shkatërruar jetën.

“Kam menduar se jeta ime do të bëhet 10 herë më e mirë, por në fakt është bërë 10 herë më e keqe. Jeta ime do të ishte shumë më e lehtë po të mos kisha fituar”, ka deklaruar ajo.

Njerëzit ia kanë zili për paratë dhe mënyrën e jetesës, por ajo beson se asnjë nga këto nuk është e vlefshme.

“Ata nuk po e kuptojnë shkallën e stresit që më ka kapluar. I kam të gjitha, por jeta ime vazhdon të jetë e zbrazët. Cili është qëllimi i jetës time?” – ka shtuar ajo.

Ishte bërë e varur nga shopingu, por kjo nuk i kishte ndihmuar të futet në një lidhje serioze, edhe përkundër faktit që meshkujt me të cilët dilte i ‘bombardonte’ me dhurata.

Mediat kishin shkruar shumë për ndarjen e saj nga i dashuri Connor, pasi ishte kthyer nga pushimet në Ibiza gjatë vitit të kaluar.

Ajo i kishte përpiluar atij një listë prej 20 rregullave që do të duhej t’iu përmbahej derisa ishte atje për pushime, ku theks të veçantë i kishte dhënë faktit se nuk guxon të komunikojë me femra tjera.

Gjithashtu ia kishte ndaluar të fotografohet me femra, dhe se i është bërë me dije se do t’i kontrollohej telefoni për tu siguruar nëse kishte shkruar ndonjë numër të ri.

Por një mik i Connor-it thotë se dyshja nuk i kanë dhënë fund lidhjes për shkak të listës së rregullave, pasi që ata ishin ndarë një javë para udhëtimit. /Telegrafi/

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version