Roberto Firmino këmbëngul se bashkëlojtarët nuk po e vuajnë largimin e brazilianit, Philippe Coutinho.
Coutinho i la The Redsat muajin e kaluar për të kaluar te Barcelona në saje të një marrëveshje në vlerë deri në 160 milionë euro.
Por, Roberto Firmino pohon se skuadra angleze nuk po e vuan largimin e brazilianit, megjithëse është lojtar fantastik.
“Nuk vuajmë për largimin e Coutinhos. Natyrisht që ne nuk e dëshiruam largimin e tij sepse është një lojtar i shkëlqyer dhe një djalë që e bashkonte ekipin”.
“Ai është një ndër miqtë e mëdhenj që kam pasur në futboll. Për fat të keq, ai është larguar. Liverpooli ka një skuadër me lojtarë të mëdhenj dhe jam i sigurt se trajneri ka zgjidhje brenda grupit për të mbushur atë boshllëk”, tha Firmino.
Ky i fundit ka kontratë me Anfield Road deri në vitin 2020 ndërsa vlera e kartonit të tij kap shifrat deri në 45 milionë euro.
Ndryshe, 26-vjeçari deri më tani ka pasur 91 paraqitje për anglezët dhe ka shënuar 32 gola. /Telegrafi/