Telegrafi

Fiorentina njofton Liverpoolin dhe Atleticon se Amrabat nuk largohet në janar

Sofyan Amrabat është një nga futbollistët që ka shkëlqyer më së shumti në Kampionatin Botëror ‘Katar 2022’.

Ylli maroken falë paraqitjeve fantastike në Kupën e Botës ka zgjuar interesimin e top klubeve evropiane që duan shërbimet e tij.

Liverpool, Tottenham Hotspur, Barcelona, Atletico Madrid janë vënë pas tij, por duket se Fiorentina ka vendosur ta mbajë në radhët e veta.

Drejtori i përgjithshëm i Fiorentinës, Joe Barrone ka konfirmuar pas ndeshjes me Romën se Amrabat nuk do të largohet në janar.

“Mund të konfirmojë se Sofyan Amrabat dhe Nico Gonzalez nuk janë në shitje. Ata nuk do të largohen në janar dhe presidenti Commisso e ka marrë këtë vendim tanimë”, ka deklaruar Barone.

Liverpooli ishte skuadra më e interesuara për yllin maroken, por duket se The Reds tani duhet të ndërrojnë objektiv.

Amrabat mund të largohet në verë nga Fiorentina, gjithmonë nëse vije një ofertë në drejtim të klubit vjollcë mbi 50 milionë euro. /Telegrafi/