Një ndeshje e bukur është zhvilluar në stadiumin Artemio Franchi ndërmjet Fiorentinas dhe Interit, ku skuadra vendase fitoi me rezultat 5-4.
Po zhvillohej minuta e 23-të, kur Matias Vecino e zhbllokoi rezultatin. Mirëpo, pas një aksioni të mirë të mysafirëve, Ivan Perisic e barazoi rezultatin (29’).
Pesë minuta më pas, doli në skenë Mauro Icardi, i cili pas asistimit nga Joao Mario, i kaloi Nerazzurrët në avantazh (34’).
Në fillim të pjesës së dytë, Handanovici i mbrojti penaltinë Federico Bernardeschit (52’), megjithatë nuk kaloi shumë kohë dhe Davide Astori e barazoi rezultatin (63’).
Në vazhdim, skuadra vjollce ishte fantastike. Matias Vecino shënoi golin e dytë personal (64’) dhe riktheu epërsinë e vendasve.
Ndërsa Khouma Babacar e fundosi Interin duke shënuar dy gola (70’ dhe 79’).
Zikaltrit nuk u dorëzuan dhe shënuan edhe dy herë me anë të Icardit (88’ dhe 90’+2), i cili e kompletoi het-trikun.
Interi është në vend të shtatë në tabelë, me një pikë më shumë se Fiorentina që ndodhet një pozitë më poshtë. /Telegrafi/