Autoritetet finlandeze kanë hapur hetim për këputjen e një kablloje nën Detin Baltik, të cilave i është bashkuar edhe një hetim suedez për sabotimin e mundshëm të asaj lidhjeje dhe një kablloje tjetër.
Kablloja C-Lion1, e cila kalon midis Finlandës dhe Gjermanisë, u dëmtua të hënën, një ditë pas dëmtimit të ngjashëm të një kablloje që përshkon Balltikun midis Lituanisë dhe Suedisë.
Ministri gjerman i Mbrojtjes tha se dëmi duket se ishte shkaktuar nga sabotazhi, megjithëse nuk ka asnjë provë për momentin, shkruan AP, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë, Byroja Kombëtare e Hetimeve të Finlandës tha se hapi një hetim penal për këputjen e kabllos C-Lion1 me dyshimin për “ndërhyrje të rënduar në komunikim”.
Edhe policia suedeze tashmë ka hapur një hetim për sabotim të dyshuar në lidhje me dy këputjet e kabllove dhe tha se “policia dhe prokurorët suedezë janë gjithashtu të interesuar për një anije që është parë në vendet në fjalë”.
Ata nuk dhanë asnjë detaj apo identifikimin e anijes, por thanë se “ajo nuk është aktualisht në ujërat suedeze”.
Ndryshe, hetimet zyrtare vijnë pasi raportet e lajmeve thanë se një anije me flamur kinez, Yi Peng 3, kishte qenë në zonë në kohën e këputjeve. /Telegrafi/