Auditimi për financat ruse në Partinë Demokratike do të përfshijë kontrollin e çdo akti dhe burimi të ligjshëm në funksion të transparencës së kësaj cështje, në të cilën akuzohet si i përfshirë ish-kryetari Lulzim Basha.
Në një intervistë për TV Klan, Kryetarja e Grupit të Auditimit, Ledina Mandija thotë se për pasjen e provave do të shkohet edhe përtej oqeanit, në SHBA.
Ledina Mandija: Provat do jenë në kuadër të një procesi të rregullt ligjor. Do jenë aktet e ekspertizës që do çojnë në një transparencë. Do përdorim të gjitha burimet e ligjshme. Do jenë në të gjitha instancat qoftë shqiptare apo të huaja brenda apo jashtë shqiptare.
Por grupi i punës nuk do të mjaftohet vetëm me shqyrtimin e akteve, Lulzim Basha dhe persona të tjerë të implikuar do të thirren për të dëshmuar.
Ledina Mandija: Në rolin e dëshmitarit, do thirren të gjithë personat, përfshirë edhe Bashën, akuza për lobimin rus në PD është e rëndë dhe cënon idologjinë e kësaj force politike, por bëhet fjalë edhe për përcaktimin e personave përgjegjës që janë implikuar në afera të tilla.
Mandija thotë se pas hetimeve, grupi i punës do të hartojë një raport që do ia vërë në dispozicion Këshillit Kombëtar, forum të cilit do t’i takojë në fund edhe vendimmarrja.
Më herët, kryetari i kësaj force politike Sali Berisha nuk ka përjashtuar edhe mundësinë e masave ndaj Lulzim Bashës, nëse do të rezultojë i përfshirë në çështjen e lobimit rus.
Partia Demokratike është distancuar nga veprimi i ish-Kryetarit Basha, duke e cilësuar akt individual të tij, duke theksuar se nga financat e kësaj force politike në 2017-ën nuk ka patur hyrje apo dalje parash për lobim rus. /klantv/