Reagime pas ndryshimeve në Kodin zgjedhor të cilat kanë të bëjnë me financimin e fushatës zgjedhore. Kreu i KSHZ-së Oliver Derkoski, duke sqaruar kompetencat e KSHZ-së, pranon se e kanë të vështirë zbatimin e kësaj dispozite për të cilën thotë kompetente duhet të ishte ndonjë institucion tjetër. Neni më i kontestueshëm është 75gj. Derkoski pretendon se neni parashikon që televizionet nuk mund të vendosin çmim më të lartë për reklamim politik për një sekondë, se sa mesatarja e pesë cikleve të kaluara. Kjo shumë, sipas tij, duhet të jetë e shumta 1.83 euro për sekondë.
“Dispozita është e qartë dhe i jep për detyrë KSHZ-së të nxjerrë çmim mesatar për pesë ciklet e kaluara për ato pjesëmarrës që kanë marrë pjesë në pesë ciklet zgjedhore. Nëse e lexoni me kujdes nenin 9 thotë se ky çmim do të jetë çmimi më i lartë për sekondë”, deklaroi Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së.
Përveç televizioneve, Derkoski thotë se radiove u takon, e shumta, 0.66 euro për sekondë për program të paguar politik duke portalet nuk mund të bëjnë kontrata për vlera më të larta se 15 mijë euro. Deklarata e tij has në kundërshtimin e Asociacionit të Mediave të Maqedonisë ku anëtare janë pesë televizionet më të mëdha nacionale, në mesin e të cilave edhe Tv Alsat. Nga AMM-ja vlerësojnë se Derkoski bën interpretim të gabuar të ligjit. Sipas tyre, ligji definon çmimin mesatar dhe jo maksimal.
“Ja do ta lexoj këtë pjesë të paragrafit 9 ku thuhet se radiodifuzerët dhe mediat e shkruara janë të obliguara që çmimoret për reklamim politik t’i zbatojnë edhe gjatë fushatës zgjedhore dhe çmimi për sekondë, për program të paguar politik të mos e tejkalojë çmimin mesatar të reklamimit, të llogaritur në pesë ciklet e kaluara zgjedhore. Pse është përdorur termi “mesatare”? Nëse duhej të ishte termi “maksimale”, ligjvënësi do ta shfrytëzonte termin “maksimale”, Ivan Mirçevski, Asociacioni i Mediave të Maqedonisë.
Mediat kanë ndalesë që të transmetojnë reklamim politik të paguar me para vetjake të pjesëmarrësve në zgjedhje. Procesi zgjedhor do të kushtojë 540 milion denarë. Prej tyre, 3 milion e 600 mijë euro janë të rezervuara vetëm për financimin e fushatës zgjedhore. Sipas KSHZ-së, këto mjete nuk do të harxhohen të gjitha dhe pjesa e mbetur do të kthehet në buxhetin e shtetit./Alsat/