Edhe këtë edicion titulli i kampionit në Ipko Superligën e Kosovës do të vendoset në javën e fundit.
Prishtina është përsëri në garë, ndërsa kundërshtari i këtij edicioni është Feronikeli nga Drenasi.
Feronikeli është lider momental në renditjen tabelare me 77 pikë pas 32 ndeshjeve dhe përveç fitores i konvenon edhe barazimi për titullin e tretë në histori.
Në anën tjetër Prishtina futet në ndeshje me të gjitha forcat për ta fituar atë dhe për ta rikthyer titullin në kryeqytet pas gjashtë viteve mungesë.
Dy skuadrat këtë edicion janë përballur dy herë, ku më e suksesshme ka dalë Prishtina e Mirel Joses.
Në sfidën e 7 nëntorit të vitit të kaluar të zhvilluar pikërisht në Drenas, Prishtina kishte triumfuar me rezultat minimal 0-1 falë golit të Mario Morinës.
Ndërkohë sfida në kryeqytet e zhvilluar më 6 mars kishte përfunduar baras 1-1 me Bekteshin që shënoi për vendasit dhe Mendurim Hotin që barazoi për mysafirët.
Supersfida mes Feronikelit dhe Prishtinës do të fillojë nga ora 16:00 në stadiumin e qytetit në Drenas. /Telegrafi/