Vllaznia-Tirana do të gjykohet nga një gjyqtar i huaj, pikërisht nga italiani Paolo Mazzoleni.
Ky është vendimi i marrë në orët e vona të kësaj të premteje sa i përket ndeshjes më të rëndësishme të javës së 36-të të Superiores, që do të vendosë ndoshta fatin në Superiore, të dy prej ekipeve më të vjetra në vend.
Për të pasur një gjykim sa më korrekt dhe të pakontestueshëm, FSHF ka vendosur që të jetë 42-vjeçari italian ai që do të vendosë drejtësi në përballjen e “Loro Boricit”.
Ky vendim është marrë nga vetë Federata Shqiptare e futbollit që ka menduar të sjellë një kryesor të huaj për të vënë drejtësi në këtë ndeshje mbijetesë mes dy emrave të mëdhenj të futbollit shqiptar.
Problematikat e shfaqura në javët e fundit e që kulmuan në sfidën e titullit mes Kukësit dhe Skënderbeut, e kane detyruar qeverinë e futbollit që kërkojnë një gjyqtar me eksperiencë dhe autoritar, për të shmangur paragjykimet për këtë përballje mbijetese.
Mazzoleni nuk është emër i panjohur për tifozët shqiptare, pasi karrierën ndërkombëtare e ka nisur pikërisht në një ndeshje miqësore të Shqipërisë, e humbur 0-1 me Azerbajxhanin në “Qemal Stafa” në nëntor të 2011-ës.
Në karrierën e tij numëron rreth 165 ndeshje në Serinë A dhe 22 në Kupat e Evropës.