Telegrafi

Filmohet shkaku i mundshëm i zjarrit që shkatërroi një pjesë të Hawaiit

Zjarret brutale që kanë shkatërruar zona të mëdha të ishullit Hawaii të Maui, duke përfshirë qytetin historik të Lahaina, mund të jenë shkaktuar nga linjat e dëmtuara të energjisë.

Pamjet video dhe të dhënat nga rrjeti elektrik përputhen dhe tregojnë se zjarri i parë në ishull mund të jetë shkaktuar nga një pemë që ka rënë në linjat e energjisë. Një kamera sigurie në Qendrën e Konservimit të Zogjve Maui në rajonin East Maui Upcountry kapi blicin në pyll afër qendrës rreth orës 23:00.

“Unë mendoj se është kur një pemë bie në një linjë elektrike. Energjia fiket, gjeneratori ynë futet, kamera ndizet përsëri dhe më pas pylli digjet”, tha Jennifer Pribble, koordinatore e lartë kërkimore në Qendrën e Ruajtjes së Zogjve Maui.

Pikërisht në të njëjtën kohë, 10 sensorë në qytetin Makawao, pranë qendrës së ruajtjes, kapën një incident të madh në të dhënat e rrjetit elektrik nga Whisker Labs, një kompani që përdor një rrjet të avancuar sensorësh për të monitoruar rrjetet në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

“Ky është një konfirmim i fortë, bazuar në të dhënat reale, se ndërprerjet e energjisë kanë të ngjarë të jenë burimi i zjarreve të shumta në Maui”, tha Bob Marshall, themeluesi dhe CEO i Whisker Labs, për Washington Post.

Lexo po ashtu Zjarret në Hawaii: Çfarë i shkaktoi flakët vdekjeprurëse dhe a është ndryshimi i klimës fajtor?

Zjarri në Hawaii shkaktoi spekulime në rrjetet sociale se ishte një zjarrvënie e qëllimshme. Shumë fotografi që ekzistonin edhe para zjarrit u përdorën si pamje autentike nga Hawaii dhe skenat nga ishujt u manipuluan për të bërë të duket sikur forca të çuditshme ishin të lidhura me fatkeqësinë që i ndodhi.

Shumë besojnë se zjarret janë vënë nga banorë të pasur të ishullit për të larguar pronarët e tokave në Lahaina. /Telegrafi/