Një video me ndërprerje në natën kur kishte ndodhur një plagosje në Graçanicë ka shkaktuar kundërthënie në procesin gjyqësor ku për këtë plagosje po akuzohet një zyrtar policor.
Në emisionin ‘KallxoPernime’ është transmetuar hulumtimi rreth përdorimit të armës nga ana e një zyrtari policor të Kosovës në stacionin e Graçanicës, ditën e 22 dhjetorit të vitit të kaluar.
Polici i Kosovës Aleksandar Krstiq kishte përdorur armën dhe e kishte plagosur Florin Gërxhaliun, i cili ishte në veturën e kushëririt të tij. Polici në këtë rast po akuzohet për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Sipas aktakuzës, polici kishte shtënë me armë në një situatë ku Armend Ukiqi po ikte nga Stacioni Policor i Graçanicës dhe në veturë ishte bashkë me Florin Gërxhaliun.
Ngjarja ishte filmuar nga kamerat e sigurisë mirëpo CD-ja me filmime që u ishte dhënë palëve kishte ndëprerje pikërisht në minutat vendimtare.
Prokurori i cili e ka ngritur aktakuzën në këtë rast Besnik Jakupi ka thënë se ndërprerjet kanë ardhur si pasojë e konfigurimit të kamerave të sigurisë.
“Ju njoftojmë se CD janë identike me ato të Inspektoratit Policor, pasi që Prokuroria të njëjtat CD i ka pranuar nga IPK, ndërsa sa i përket ndërprerjes së filmimit, ju njoftojmë se në konsultim me përgjegjësin për kamera në të gjitha stacionet policore, i njëjti ka sqaruar se pengesat kanë mundur të jenë si pasojë e konfigurimit të kamerave, pasi në të gjitha stacionet policore janë instaluar kamera të reja, në fund të vitit 2020”, thuhet në përgjigjen e prokurorit.
Ai po ashtu ka shtuar se sa i përket çështjes së ndërhyrjes në materialet filmike, “kjo në as një formë nuk mund të bëhet, nga se incizimet merren vetëm në softuerin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës”.
Avokati Skënder Musa që mbron Florin Gërxhaliun e plagosur atë natë ka thënë së ndërprerja e CD-ve po e penalizon më së shumti klientin e tij.
“Unë i kam pa CD dhe e kam pa që ne to ka ndërprerje dhe pikërisht këto ndërprerje po e prolongojnë klientin tim sepse sikur të shihej qartë veprimi i secilit e po ashtu veprimi i policit në fjalë kish me u faktu sa ma qartë edhe qëllimi edhe mënyra e kryerjes së kësaj vepre”, tha Musa.
CD me pamjet filmike ishin marrë nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Njëri nga hetuesit e këtij rasti Armend Preniqi ka thënë se ka folur me hetuesin i cili është marrë direkt me filmimet e këtij rasti dhe ka parë disa ndërprerje duke treguar se ende nuk është hetuar se kush ka mundur të ndërhyjë në këto filmime.
“Unë fola, e thirra në telefon, fola me hetuesin. Ajo pjesa ku ka ndodhë gjuajtja me armë nuk është e mbuluar edhe nga kamerat hiç, pjesa ku ka gjuajt, se nuk ka ndodh gjuajtja para stacionit por në parking diku, në rrugë magjistrale. Ka ndërprerje, ka ndërprerje, edhe hetuesi më tha “ka ndërprerje”, diçka teknikisht nuk është mirë”, ka thanë Preniqi.
Fillimisht këto CD edhe pse iu ishin dorëzuar palëve nuk ishin përmendur në aktakuzë fare si prova materiale. Prokuroria e Prishtinës ketë e ka quajtur gabim teknik.
“Në propozim të aktakuzës është lëshuar një gabim teknik, edhe pse të njëjtat CD i janë dorëzuar si provë në gjykatë dhe mbrojtësve të të pandehurve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Prokuroria e Prishtinës për ngjarjen e 22 dhjetorit të vitit të kaluar ka akuzuar 5 persona. Armend Ukiqin për ikje nga Stacioni Policor i Graçanicës, i cili ishte arrestuar me parë nga Policia dhe do duhej të ishte në burg për një vepër tjetër të mëhershme të tij.
Të arrestuar tjerë ishin edhe Astrit Idrizi, Qëndrim Gërgjaliu dhe Florin Gërxhaliu për mundësim të ikjes së Armend Ukiqit dhe zyrtarin policor Aleksandar Krstiq për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm i cili në ndjekje e sipër të Armend Ukiqit nxjerr armën e tij zyrtare dhe qëllon Florin Gërxhaliun.
Faiku, babai i Florin Gërxhaliut të plagosur thekson se me policin i cili gjuajti me armë duhet të merret drejtësia.
“Drejtësia të merret më të nuk e di se çka ka ndodhur me policin i cili gjuajti me armë nuk kam çka të bëj më shumë”, tha Gërxhaliu.
Aktakuza ku zyrtari policor akuzohet për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm e jo për tentim vrasje po kundërshtohet edhe nga avokatët mbrojtës. Fatmire Braha që në këtë rast mbron Astrit Idrizin dhe Skender Musa që mbron Florin Gërxhaliun.
Por të kundërtën e mendon Asdren Hoxha që mbron zyrtarin policor Aleksandër Kërstiq. Sipas Hoxhës klienti i tij e ka kryer vetëm punën e tij për të cilën edhe është i thirrur.
Kallxo.com ka kontaktuar me familjen e të akuzuarit tjetër Qendrim Gërxhaliu të cilët kanë kërkuar lirimin nga paraburgimi të familjarit të tyre. Ndërsa familjarët e Armend Ukiqit nuk kanë dashur të flasin ne lidhje me pretendimet e ngritura në emision.
Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: