Pas suksesit të filmave të fundit kosovarë, si “Martesa”, “Diamanti” dhe “Nëntor i ftohtë”, filmi i radhës vendor që arrin në Cineplexx është “Një tregim Prishtine”, i cili trajton një temë shumë prekëse të realitetit tonë.
“Një tregim Prishtine” nga regjisorja e njohur Burbuqe Berisha, pasqyron realitetin kosovar me aktorët e dashur për publikun, Donat Qosja dhe Teuta Krasniqi.
Ky është një film i zhanrit dramë që fokusohet në jetën e një çifti të klasës së mesme, Aurora dhe Ben me vajzën e tyre, Fiona. Sfidat e tyre fillojnë kur Fiona është diagnostikuar me leukemi akute dhe ata duhet t’i gjejnë paratë për trajtimin e saj.
Beni ndeshet me korrupsionin gjatë përpjekjes për të siguruar para për trajtim, ndërsa Aurora lufton në mënyrën e saj për të mbledhur fonde për shërimin e Fionës.
Premiera e këtij filmi në Cineplexx do të jetë me 15 mars prej orës 19:15. Biletat tashmë janë në shitje dhe mund t’i blini çdo ditë pas orës 15:00 në arkat e Cineplexx.