Site icon Telegrafi

Filmi “Luftëtari i 13-të” dhe heroi mysliman

Antonio Banderas në filmin “Luftëtari i 13-të”

Nga: Mohammad Zaheer / BBC
Përkthimi (i pjesshëm) nga: Telegrafi.com

U dha premierë në ShBA 25 vjet më parë, dhe Luftëtari i 13-të [The 13th Warrior] kishte të gjitha elementet e një filmi të suksesshëm të Holivudit. Kishte një yll të kategorisë së parë, Antonio Banderasin; u realizua nga regjisori i njohur i aksionit, John McTiernan (i njohur për hite të mëdha si Predator dhe Die Hard); dhe ishte bazuar në një roman magjepsës të shkruar nga autori i Parkut të Jurës [Jurassic Park], Michael Crichton, me titull Ngrënësit e të Vdekurve [Eaters of the Dead].

Ashtu si libri, i cili ishte një interpretim i lirë i Beovulfit, filmi tregoi historinë e Ahmad ibn Fadlanit – një diplomat arab i shekullit X, i mërguar nga Bagdadi, i cili pa dëshirë u bashkua me një grup vikingësh në rrugën e tyre për të luftuar një të keqe misterioze dhe të tmerrshme. Megjithatë, përkundër të gjitha këtyre elementeve, filmi u prit keq nga kritika dhe ishte një dështim komercial. Pas rixhirimeve të kushtueshme për shkak të rezultateve jo të mira nga ekranizimet testuese, buxheti u rrit në mbi 100 milionë dollarë (afro 90 milionë euro), ndërsa fitoi vetëm 61,7 milionë dollarë (55.2 milionë euro) në mbarë botën. Kritiku i filmit Roger Ebert, duke i dhënë atij një vlerësim prej 1.5/5, shkroi se filmi “shfaq shumë para në ekran, por pak mendime”.

Megjithëse prej kohësh është harruar nga pjesa më e madhe e publikut, filmi ka krijuar ndjekës të përkushtuar, veçanërisht mes myslimanëve që kërkojnë përfaqësim pozitiv në ekranin e madh.

Përgjatë viteve, Holivudi ka qenë subjekt i kritikave të shpeshta për portretizimin negativ të myslimanëve dhe kulturës islame. Vlen të thuhet se edhe sot është e vështirë të gjesh një shembull të një përshkrimi pozitiv ose të nuancuar të një protagonisti mysliman në një film, pa praninë e personazheve të këqij ose problematikë. Ekzistojnë disa biopikë për figura të rëndësishme myslimane, si Ali apo Malcolm X, dhe disa filma relativisht me buxhet më të vogël me protagonistë myslimanë (si Traitor dhe The Big Sick) që e kundërshtojnë këtë trend. Megjithatë, asnjë nga këta filma nuk kishte nivelin e burimeve të derdhura si Luftëtari i 13-të, duke e bërë dështimin e tij edhe më zhgënjyes dhe trashëgiminë e tij më të ndërlikuar.

“Si dikush që ka kaluar 20 vjet duke u përpjekur për të bërë filma dhe shfaqje televizive që i vendosin identitetet myslimane në krye, mendoj se Luftëtari i 13-të ndoshta e rëndoi situatën sepse ishte një katastrofë kaq e madhe komerciale saqë disa njerëz në Holivud vendosën të mos bëjnë më filma me protagonistë myslimanë”, thotë Dr. Reza Aslan, autor bestseller, producent televiziv dhe profesor i shkrimit krijues në Universitetin e Kalifornisë. “Pastaj, pothuajse menjëherë ndodhën ngjarjet e 11 shtatorit, të cilat e lejuan Holivudin t’i kthente myslimanët në antagonistë”.

Tani, 25 vjet pas premierës së tij, filmi kërkon një rivlerësim, veçanërisht në dritën e kontributit të tij në përfaqësimin e myslimanëve në ekran.

“Legjenda thotë se Michael Crichton debatonte me një mik për vlerat e Beovulfit – veprës së parë të rëndësishme të letërsisë anglo-saksone – dhe në një bast vendosi se mund ta rishkruante atë për një audiencë moderne”, thotë Aslan. “Gjatë procesit të shkrimit, i ra në dorë dorëshkrimi i Ahmad ibn Fadlanit, që është përshkrimi i parë i huaj i kulturës vikinge – dhe aq u mahnit nga ai sa vendosi ta bënte protagonist të historisë së tij”.

Sipas Warren Lewisit, profesor i skenarit në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë dhe një nga skenaristët e filmit, nuk kishte dyshim se besimi islam i personazhit do të ishte element qendror. Në fakt, u mendua shumë për ta prezantuar Ahmadin në një mënyrë më të respektueshme, dhe kjo është arsyeja pse versioni i personazhit që shohim në ekran është shumë i ndryshëm nga konceptet e mëparshme më komike, të cilat nuk u morën parasysh.

Nuk është e vështirë të kuptosh pse shumë shikues myslimanë tërhiqen drejt tij. I luajtur me dinjitet nga Banderasi, kur Ahmadi vendoset në rrethana të pakëndshme me vikingët, kjo nuk përdoret vetëm për ta tallur, por përkundrazi, atij i jepen shumë mundësi për të shkëlqyer me intelektin dhe trimërinë e tij. Kur vikingët tallen me madhësinë e kalit të tij, ai u lë përshtypje duke treguar se sa mirë mund ta kalërojë atë.

“Ahmadi i gjorë i hutuar nuk e di se në çfarë është futur. Atij i japin një shpatë – një shpatë të madhe vikinge – dhe ai nuk është në gjendje ta mbajë. Shakaja është se atij i thuhet të rritet më i fortë. Dhe çfarë bën Ahmadi? E gjen një mjeshtër metali dhe e shndërron atë në një shpatë të bukur arabe që ka më shumë mundësi prerëse se shkopi që i dhanë”, thotë Lewis. “A e dini se ‘rritu më i fortë’ u bë slogan në mesin e një njësie të veçantë në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara? Ishte edhe në banderola. Ai moment bëri jehonë te shumë njerëz”.

Një tjetër moment që bie në sy është kur udhëheqësi viking e pyet Ahmadin nëse mund të “vizatojë tingujt” (d.m.th. të shkruajë), duke e vënë dijetarin arab përballë analfabetëve veriorë. Për të treguar se mundet, Ahmadi zgjedh të shkruajë, në arabisht, deklaratën e besimit mysliman: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është Dërguari i Tij”. Është mirë ta shohësh këtë në film në një mënyrë që thjesht është edukative dhe pa asnjë ngjyrim të keq. “Mund të kishte shkruar emrat e burrave ose diçka tjetër, por zgjodhi të shkruajë atë mban në zemër”.

“Ndoshta ishte çorientuese – por në një mënyrë të mirë – për audiencën perëndimore që të shohin shkrimin dhe mësimin që ka të bëjë me veprat arabe dhe Islamin”, thotë Dr. Lynn Shutters, profesoreshë e anglishtes në Universitetin Shtetëror të Kolorados.

Duke qenë se Ahmadi është një mysliman praktikues, filmi shmang një aspekt tjetër që Holivudi shpesh përdor edhe kur synon përfaqësimin pozitiv – ai është një person simpatik jo për shkak të distancës që krijon besimi i tij, por pikërisht për shkak të tij.

Kjo nuk do të thotë se Ahmadi është portretizuar vetëm në aspektin pozitiv. Fillimisht, ai largohet nga Bagdadi si ndëshkim për një aferë me një grua të martuar – një shkelje e rëndë për një mysliman të devotshëm. Në fillim, ai është gjykues, arrogant dhe paksa i dhënë pas modës, siç e thotë Lewis.

“E keni një njeri nga një qytetërim i përparuar, i cili, për mëkatet e bëra, është dëbuar te njerëzit që janë të përfshirë në një konflikt të tmerrshëm dhe ai nuk është i përgatitur për të luftuar”, thotë Lewis. “Por, edhe si i huaj dhe si dikush që nuk ishte personi më i respektuar në vendlindjen e tij, ai shihej gjithmonë si njeriu më i qytetëruar në atë mes”.

“Ishte interesante të kishim një personazh me këndvështrimin e një myslimani arab, i cili fillimisht vëzhgonte vikingët dhe shihte se sa barbarë dhe të pahijshëm ishin në sjelljen e tyre, veçanërisht në pjesën e hershme të filmit”, thotë Shutters.

Kjo dinamikë nuk ishte thjesht një largim i madh nga përshkrimet standarde të Holivudit për iluminizmin dhe epërsinë perëndimore; ishte pothuajse një përmbysje e plotë e qasjeve të tilla. Këtu ishte një personazh arab i ndarë nga kultura e vet, duke hyrë në një botë alternative perëndimore dhe më pas duke u kthyer në “shoqërinë e civilizuar” si një njeri më i mirë.

Është inkurajuese të shihet shoqëria dhe respekti i ndërsjellë që zhvillohet mes Ahmadit dhe vikingëve. Sipas Lewisit, Luftëtari i 13-të madje u shfaq në një klasë në akademinë ushtarake të Ushtrisë Amerikane në Uest-Point.

“Një nga gjërat për të cilat jam krenar për këtë film është se vikingët nuk e vënë kurrë në dyshim besimin e tij”, thotë Lewis. “Ata janë sarkastikë dhe cinikë, por gjithmonë janë aty me të”.

Natyra gjithëpërfshirëse e personazheve të vikingëve e bën më të vështirë që filmi të përshtatet me narrativat e supremacistëve të bardhë, një shqetësim që Shutters e përmend si problematikë në portretizimet letrare të Mesjetës. Pavarësisht se vikingët janë multiracialë dhe multikulturorë, e djathta ekstreme e përdor si armë zbardhjen e pasaktë të historisë së tyre.

Megjithëse filmi shmang disa metafora të dëmshme, ai ka të meta, ndoshta për shkak të zhanrit aksion-aventure në të cilin zhvillohet.

“Një nga problemet që kam me filmin është se promovon një model të dhunës mashkullore”, thotë Shutters. “Edhe kur e prezanton Ahmadin pozitivisht, si një njeri të ditur, ekziston sugjerimi se ai nuk është burrë ‘i vërtetë’ në fillim dhe se bëhet burrë ‘i vërtetë’ duke hyrë në kulturën e luftëtarëve të vikingëve. Fantazia prapa këtij versioni të maskulinitetit – që është e nevojshme të jesh luftëtar sepse ka njerëz të këqij që bëjnë gjëra të këqija dhe ti duhet të jesh ushtarakisht i fortë për t’i mposhtur ata – mund të jetë mjaft e rrezikshme”.

Ekzistojnë gjithashtu disa çështje rreth autenticitetit që ndoshta ishin anashkaluar në atë kohë, kjo për shkak të mungesës së përfaqësimit pozitiv mysliman në ekran.

“Nuk mund t’i mohoj ndjenjat e mia personale për filmin – që më pëlqeu shumë – me realitetin se si është të punosh sot në Holivud”, thotë Aslan, “sepse ajo për të cilën mendoja 25 vjet më parë është se Luftëtari i 13-të nuk mund të shmanget nga fakti se një spanjoll luan një arab; se ishte shkruar, drejtuar dhe prodhuar nga joarabë dhe jomuslimanë. Procesi i bërjes së tij dhe produkti përfundimtar – sado interesant që ishte filmi – ishte krejtësisht i lirë nga autenticiteti”.

Luftëtari i 13-të nuk është aspak një film i përsosur. Por, edhe një çerek shekulli më vonë, mbetet i këndshëm për t’u parë, me një histori tërheqëse, skena dhe kostume të mira, dhe sekuenca interesante të aksionit.

“Isha vërtet krenar për punën time në Luftëtarin e 13-të”, thotë Lewis. “Nuk është puna ime t’i drejtoj kritikët, por thjesht nuk mund të paramendoj se çfarë prisnin. Nuk ishte fantashkencë, megjithatë ishte. Nuk ishte uestern, por megjithatë ishte. Nuk ishte film horror, por prapëseprapë ishte, kështu që ndoshta ata mendonin se ishte – siç thonë në Holivud – një peshk me pupla”. /Telegrafi/

Exit mobile version