Në fillim të tetorit, Agnus Dei sërish rikthehet në USA, saktësisht në New Haven International Film Festival – New Haven, USA.
Gjatë gjysmës së dytë të muajit shtator dhe gjysmës së parë të muajit tetor, filmi kosovar Agnus Dei me skenar dhe regji të Agim Sopit do të shfaqet në programet zyrtare edhe të gjashtë festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare, duke filluar nga Jersey City’s Golden Door Film Festival – New Jersey, USA. Jersey City GDFF, njihet si festivali qendror i New Jersey-it dhe udhëhiqet nga një bord i përbërë prej tridhjetë kineastësh të shquar amerikan, shumica prej të cilëve janë anëtarë të Akademisë së Filmit.
Agnus Dei, në këtë festival është përzgjedhur në një garë me më shumë se 5000 aplikues nga më shumë se 80 shtete të botës. Festivali i New Jersey-it, shquhet për prezencën e madhe të yjeve dhe profesionistëve të filmit amerikan dhe ndërkombëtar, tregon regjisori Sopi për KultPlus.
Agnus Dei, do të vazhdoj pastaj në Cineseptiembre Muestra Internacional de Cine- që do të mbahet në Sonaloa të Meksikos, ngjarje e cila konsiderohet ndër festivalet më të dashura që mbledh kineastët e botës në një vend përrallor bregdetar. Më shumë se 100 filma të metrazhit të plotë, të shkurtër e dokumentar nga më shumë se 20 vende të botës do të garojnë për çmimet e këtij festivali.
Destinacioni i radhës i filmit kosovar do të jetë Out of Africa International Film Festival – Nairobi, Keni. Në fillim të tetorit, Agnus Dei sërish rikthehet në USA, saktësisht në New Haven International Film Festival – New Haven, USA. Për më shumë se njëzetë vjet, NHIFF ka qenë arenë e premierave të filmave më prestigjioz të botës duke u bërë një adresë e njohur e prodhimeve të vogla të kinematografisë amerikane dhe asaj botërore.
Kështu, Agnus Dei radhitë pas vetes 113 festivale ndërkombëtare, nga të cilat 38 çmime të para.