Prokuroria franceze e ka liruar filmbërësin Luc Besson nga akuza për përdhunim, e cila ishte ngritur nga aktorja Sand Van Roy, e cila është raportuar se ka qenë në lidhje të fshehtë dyvjeçare me të.
Pas hetimit, ishte konfirmuar se Besson nuk ishte fajtor për akuzën e përdhunimit të aktores, e cila kishte pohuar se ai e ka keqtrajtuar seksualisht në një dhomë hoteli në Paris. Avokatët e 59-vjeçarit kanë thënë se hetimi është ndërprerë.
Aktorja, e cila është paraqitur në dy filma të tij, në dokumentet e akuzës kishte thënë se ishte ndier keq pas një çaji që ka pirë dhe më pas Besson e ka përdhunuar.
Mirëpo, hetimet kanë treguar se nuk ka qenë në ndikimin e ndonjë substance të palejuar. Pas padisë së saj, ishin shfaqur edhe tetë femra të tjera, të cilat e kanë akuzuar filmbërësin për shqetësim seksual.
Një aktore ka thënë se ia kishte dalë të ikte nga zyra e regjisorit, skenaristit dhe producentit të famshëm në Paris, pasi kishte dashur ta përdhunonte.
Besson është vlerësuar për punën e tij në filmat, si “Leon: The Professional”, “The Messenger: The Story of Joan of Arc”, “The Fifth Element”, “Lucy” e “Valerian and the City of a Thousand Planets”, ndërsa është producent i shumë filmave të suksesshëm.
Në vitin 1980, ai e themeloi kompaninë e vet filmike, “Les Films du Loup”, ndërsa më vonë “Les Films du Dauphin”, të cilat në vitin 2000 u zëvendësuan nga kompania tjetër e tij, EuropaCorp, të cilën e themeloi me bashkëpunëtorin e tij, Pierre-Ange Le Pogam.
Si skenarist, regjisor apo producent, Besson ka qenë i përfshirë në realizimin e më shumë se 50 filmave. /Telegrafi/