Site icon Telegrafi

Filmat “Martesa” dhe “T’padashtun” shpërblehen me çmime në festivalin ndërkombëtar “SeeFest”, në Los Anxhelos

Është mbajtur Festivali i Filmit në Europën Juglindore, i njohur si SEE-Fest.

Ky festival i filmit, i cili zhvillohet në Los Anxhelos praqet dhe vlerëson filmat artistikë, dokumentarë, dhe filma të metrazhit të shkurtë, të prodhuar ose tematikisht të lidhura me Evropën Juglindore dhe Kaukazin.

Në edicionin e sivjetëm të festivalit kanë garuar edhe disa filma shqiptare, nga ku dy prej tyre kanë dalë të shpërblyer me çmime.

“Martesa”, filmi i shumëpërfolur me regjisoren kosovare Blerta Zeqiri, ka arritur të rrëmbejë “Filmi i parë më i mirë në bashkëpunim”, ndërsa “T’padashtun”, i regjisorit Edon Rizvanolli është shpërblyer me çmimin e publikut.

Ndërsa çmimi kryesor në këtë mbrëmje iu nda artistit Robert Dornhelm.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur vet regjisori Rizvanolli, përmes një postimi në rrjetin social facebook, ku shkruante: “‘T’padashtun’ fitoi çmimin e publikut ne LA. Urime gjithë ekipës!”

Ndërkohë, në një intervistë të dhënë për Telegrafin vitin e kaluar, regjisori Edon Rizvanolli kishte rrëfyer për pritshmëritë e filmit të tij, nga ku kishte thënë se priste suksese.

“Në filmin “T’padashtun” apo Unwanted (anglisht) kam punuar përafërsisht pesë vite, prej të cilave koha më e gjatë është shpenzuar në shkrimin e skenarit, gjetjen e fondeve dhe para produksion. Jam jashtëzakonisht i kënaqur si me punën e aktorëve, e gjithashtu edhe me rezultatin përfundimtar. Natyrisht se ka ende hapësirë për përmirësim, mirëpo vet fakti se filmi ka pasur premierë në një festival të kategorisë A si “Karlovy Vary” dhe që është selektuar edhe për festivale të tjera, po ashtu të kategorisë A, tregon për kualitetin e punës së gjithë ekipit”, kishte thënë ai për Telegrafin.

Lexo po ashtu “T’padashtun”, propozimi i Kosovës për në 'Oscars', regjisori Rizvanolli rrëfen për pritshmëritë (Foto)

Festivali vjetor i filmit “SeeFest” përfshin një konferencë biznesi, shfaqje dhe programe gjatë gjithë vitit, të gjitha që tregojnë diversitetin kulturor të Evropës Juglindore përmes temave, tregimeve dhe mjeshtërisë vizuale. Ajo kërkon të krijojë lidhje interkulturore ndërmjet komuniteteve artistike në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Juglindore. /Telegrafi/

Exit mobile version