Vaksinimi i fëmijëve kundër poliomielitit filloi sot në Gaza, tha një zyrtar për AFP, përpara një “pauze humanitare” mes Izraelit dhe Hamasit.
“Ekipet nga Ministria e Shëndetësisë (qeveria e Hamasit), UNRWA dhe OJQ-të filluan një fushatë vaksinimi ndaj poliomielitit në Rripin qendror të Gazës të shtunën”, tha Dr. Musa Abed, drejtor i ndihmës së parë në Ministrinë e Shëndetësisë të qeverisë së Hamasit.
Rasti i parë i poliomielitit u konfirmua së fundmi tek një fëmijë dhjetë muajsh në Rripin e Gazës, ku sëmundja u zhduk njëzet e pesë vjet më parë. Kombet e Bashkuara dërguan 1.2 milion vaksina orale.
Prindërit që morën vaksinën e parë orale prej dy pikave, dozën e dytë duhet ta marrin pas një muaje.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha të enjten se autoritetet izraelite kishin rënë dakord për disa “pauza humanitare” prej tre ditësh secila në Gaza për të lejuar 640 mijë fëmijë të vaksinohen kundër poliomielitit.
Për shkak të rrugëve të dëmtuara dhe popullatës së zhvendosur, OKB-ja ka njoftuar se mund të nevojitet një ditë shtesë për secilën zonë.
Marrëveshja parashikon që pushimi humanitar të nis herët në mëngjes ndërsa të përfundojë në orët e vona të mbrëmjes. /Telegrafi/