Ka filluar takimi i radhës mes grupeve punuese të Lëvizje Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përpjekje për të harmonizuar programet për qeverisjen e ardhshme të vendit.
Në këtë takim pritet të flitet për çështjet programore në arsim, shëndetësi dhe kulturë. Ky takim është i pestë mes këtyre grupeve punuese, dhe po mbahet në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në takim po marrin pjesë Lutfi Haziri, Avdullah Hoti, Lumir Abdixhiku, Xhavit Rexhaj dhe Izet Sadiku nga LDK, ndërsa nga LVV, Glauk Konjufca, Besnik Bislimi, Albulena Haxhiu, Arben Vitia, Abërie Nagavci edhe Jusuf Ulaj.
Në takimin e fundit thanë se janë pajtuar në masë të madhe për çështje të sigurisë dhe sundimit të ligjit.
Ndryshe, pavarësisht takimeve, ka pasur edhe debate në distancë.
Deklarata e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, se zgjedhja e kryeministrit duhet të kalojë përmes zyrave të kësaj partie, ka shkaktuar reagime në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje./Telegrafi/