Site icon Telegrafi

Fillon takimi i kryeministrit Kurti me Escobarin e Lajçakun

Ka filluar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak.

Escobari dhe Lajçaku do ta takojnë nesër edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thuhet në njoftimin e presidencës serbe.

Më 12 dhjetor, kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se i ka kërkuar Lajçakut që të vizitojë rajonin e Ballkanit me qëllim të ofrimit të ndihmës për ulje të tensioneve në veri.

Kurti është takuar me Escobarin edhe një ditë më parë, dhe sipas Zyrës së kryeministrit, palët kanë biseduar për nevojën e heqjes së menjëhershme të barrikadave në veri.

Më të dërguarin amerikan është takuar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, si dhe liderët e partive opozitare në Kosovë.

Deri tani diplomati amerikan nuk ka folur për mediat rreth vizitës së tij në Kosovë.

Bashkë me Esobarin në Kosovë ishte paraparë që të vinte edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili anuloi vizitën në disa shtete të Ballkanit dhe në Bruksel, pasi doli pozitiv me sëmundjen COVID-19.

Exit mobile version