Telegrafi

Fillon shpërndarja e ndihmave nga mini-maratona “Vrapo Babadimër” për 350 familje në nevojë

Edicioni i 5-të i mini-maratonës humanitare “VRAPO BABADIMËR” është përmbyllur me sukses.

Kësaj maratone i janë bashkuar shumë njerëz të vullnetit të mirë, duke i blerë kostumet e babadimrit.

350 familje do të ndihmohen këtë fundvit dhe ndihmat do të shpërndahen duke filluar nga sot (21 dhjetor) në qytete të ndryshme të Kosovës, duke përfshirë Prishtinën, Mitrovicën, Ferizajn, Gjilanin, Prizrenin, Pejën dhe Gjakovën.

Organizatori i kësaj mini-maratone, Jusuf Islami, ka falënderuar nga zemra gjithsecilin për ndihmën që ka dhuruar duke treguar se, ndonëse këtë vit është zhvilluar me format tjetër për shkak të pandemisë, prapëseprapë eventi ka arritur të pasqyrohet edhe në mediat botërore sikurse prestigjiozja The Guardian, EuroNews, etj.

Jam i lumtur që mund të festojmë së bashku, t’iu ndihmojmë atyre që më së shumti kanë nevojë, si dhe që vendi ynë prezantohet pozitivisht në arenën ndërkombëtare. I falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë edicion, e posaçërisht sponsorët e kësaj ngjarje pa të cilët ky organizim do të ishte i pa mundur”, është shprehur Jusuf Islami.

Islami ka bërë të ditur se kjo mini-maratonë do të zhvillohet edhe viteve tjera për t’iu dalë në ndihmë familjeve në nevojë gjatë kësaj periudhe dhe shpreson se viti tjetër do të na gjejë në ditë më të mira.