Telegrafi

Fillon shpërndarja e dollapëve për klasat 1-5 në shkollat e Prishtinës

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka njoftuar që sot po fillojnë furnizimin me dollapë të fëmijëve për klasat e para deri në të pesta.

Ajo ka thënë se në çdo takim me prindërit e fëmijëve të kësaj grupmoshe ka marrë ankesa për peshën e rëndë të çantave.

“Sipas një hulumtimi të bërë nga një shkollë fillore e Prishtinës, nxënësi i klasës së parë, që ka peshë trupore rreth 23 kilogramë, e bart çantën mesatarisht 4 kilogramë e 170 gramë. Ndërsa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pesha fizike që bartin fëmijët nuk duhet të jetë mbi 10 përqindëshin e peshës trupore të fëmijëve, pra 2.3 kilogramë”, ka shkruar Musmurati.

Ajo ka shtuar se pasojat në shëndet prej çantave të rënda janë të mëdha, prandaj edhe kemi reaguar që të ruajmë shëndetin e fëmijëve.

“Kemi blerë dollapë metalik që i rezistojnë kohës dhe që janë tejet të përshtatshëm për fëmijë. Po fillojmë me shkollat Hasan Prishtina, Ismail Qemaili dhe Naim Frashëri që të vazhdojmë në të gjitha shkollat e Prishtinës”, ka shkruar Musmurati. /Telegrafi/