Ka filluar regjistrimi në garën më të madhe të robotikës, “KOSOVA MAKERS LEAGUE”- KML OPEN, garë kjo e cila implementohet nga Fondacioni BONEVET dhe e cila zhvillohet përgjatë vitit akademik shkollor 2020 -21.
Nëpërmjet aspiratës “një robot për çdo fëmijë”, KML synon të përmbush misionin e saj që është “inspirimi i liderëve të ardhshëm në fushën e shkencës dhe teknologjisë”.
Ftohen të gjitha shkollat fillore publike dhe private, OJQ-të dhe qendrat e tjera edukative nga e gjithë Kosova, të cilat punojnë me fëmijët e grupmoshës 6-15 vjeç të bëhen pjesë e garës duke krijuar ekipet e tyre prej 4 nxënësve dhe duke mbushur aplikacionin që mund ta gjejnë në faqen zyrtare www.kosovamakers.net deri më 09 tetor 2020.
Qëllimi i kësaj gare është krijimi i një atmosfere pozitive dhe të shëndetshme për ekipet pjesëmarrëse, ku fokusi primar është edukimi i fëmijëve e pastaj konkurrenca, rritja e entuziazmit në mesin e nxënësve të shkollave fillore që të zhvillojnë njohuritë e tyre në fushat e STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri & Matematikë; nxitja e frymës ekipore tek nxënësit; inkurajimi i të menduarit kritik dhe zgjidhja e problemeve në mënyre kreative.
Gjatë gjithë vitit akademik shkollor, gara do të zhvillohet në pesë raunde, ku fëmijët do të zgjidhin “misione të ndërlikuara’ me ndihmën e robotëve të tyre “mBot”. Pas çdo raundi, ekipet fituese do të përfitojnë çmime të ndryshme. Dy ekipet finaliste të garës që grumbullojë më së shumti pikë përgjatë gjithë garës KML OPEN do ta përfaqësojnë Kosovën në Garat Regjionale të Robotikës – MakeX OPEN në Zagreb të Kroacisë dhe ekipi i cili grumbullon më shumë pikë në këto gara fiton biletën për të vazhduar në Garat Botërore të Robotikës “WER” në Guangzhou të Kinës.
Lexoni më shumë rreth garës, organizimit të saj dhe kritereve të aplikimit në www.kosovamakers.net.
Bëhuni pjesë e revolucionit STEM në sistemin e arsimit në Kosovë! Bashkërisht mund të kontribuojmë për një të ardhme më të mirë të gjeneratave të reja të vendit.