Telegrafi

Fillon regjistrimi i nxënësve në klasat e dhjeta në Komunën e Malishevës

Ka filluar regjistrimi i nxënësve në shkollat e mesme, përkatësisht në klasat e dhjeta, në gjimnazin e Malishevës dhe në dy shkollat profesionale.

Kështu është bërë e ditur pas mbledhjes së rregullt të Këshillit të Drejtorëve të Komunës së Malishevës, e cila është drejtuar nga nënkryetari i komunës, Hajdin Berisha, transmeton Telegrafi.

Sipas Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, sot ka filluar regjistrimi i nxënësve në klasat e dhjeta dhe regjistrimi në fazën e parë, do të zgjasë tri ditë.

Sipas planifikimeve të tri shkollave të mesme, Gjimnazi në Malishevë, Qendra e Kompetencës në Malishevë dhe Shkolla Profesionale në Kijevë, në klasat e dhjeta planifikohet të regjistrohen mbi 1200 nxënës./Telegrafi/