Site icon Telegrafi

Fillon procesi gjyqësor ndaj Greta Thunberg

Procesi gjyqësor ndaj aktivistes së klimës Greta Thunberg fillon sot, për një vepër kundër rendit publik pas protestave të organizuara në qendër të Londrës vitin e kaluar.

21-vjeçarja nga Suedia ishte arrestuar gjatë protestës pranë hotelit InterContinental në Londër më 17 tetor, ku drejtuesit e kompanive të naftës po mblidheshin për eventin e Forumit të Inteligjencës Energjetike, transmeton Telegrafi.

Thunberg dhe dy protestues të tjerë nga organizata Fossil Free London (FFL) dhe Greenpeace, deklaruan në Gjykatë në nëntor se nuk kishin shkelur Aktin e Rendit Publik 1986 duke bllokuar hyrjen në hotel.

Aktivistja britanike e Greenpeace, Maja Darlington, tha se “persekutimi i Gretës dhe protestuesve të tjerë paqësorë, tregon se qeveria kujdeset më shumë për rritjen e fitimeve të bosëve të naftës sesa për të luftuar për të ardhmen e jetës për të gjithë ne”.

Organizata Fossil Free London qëndron gjithashtu me Thunberg dhe protestuesit: “Mbretëria e Bashkuar po kriminalizon aktivistët paqësorë të klimës si Greta ndërsa hap tapetin e kuq për kriminelët e klimës në hotelet e Londrës,” tha zëdhënësja e FFL, Joanna Warrington. /Telegrafi/

 

Exit mobile version