Site icon Telegrafi

Fillon ndërtimi i Mega-Parkut në komunën e Çairit

Nga nesër do të fillojë të ndërtohet “Mega Parku” në Komunën e Çairit, konkretisht në rrugën “Brigada Maqedonase Kosovare”, në Lagjen Fushë Topanë, projekt ky që realizohet në bashkëpunim ndërkomunal ndërmjet Komunës së Çairit dhe Qytetit të Shkupit.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovka, deklaroi se komuna e Çairit është e vlefshme për qytetin e Shkupit, pasi sipas saj, kjo komunë ka qenë e njohur si komuna më e gjelbëruar në qytet.

“Ka nevojë të zhvillohen hapësira të reja të gjelbëra, janë të limituar vendet atje ku mundemi të punojmë këtë, por megjithatë parashikojmë dhe njoftojmë gjithashtu edhe për një hapësirë tjetër që po shikojmë që të realizohet, në komunën e Çairit”, tha Arsovska.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Çairit , Visar Ganiu, tha se ky projekt është shumë i qëlluar dhe i nevojshëm për qytetarët e kësaj komune.

“Jemi mbledhur me të vetmin qëllim, që t’ju informojmë që nga dita e nesërme fillon ndërtimi i “Mega Parkut”, ku përfshinë 30 mi metra katrorë, prej atyrëve, 21 metra katrorë do të jenë gjelbërim, kurse pjesa tjetër do të përfshinë dy fusha sportive rekreative”, tha Ganiu

Përndryshe, Mega-parku do të shtrihet në një sipërfaqe prej 30.000 metrash katrorë dhe do të ketë 500 pemë dhe fidanë të rinj, rrjet hidranti të ri dhe lulishte. Në park janë planifikuar 2 kënde të reja sportive, 2 kënde lojërash për fëmijë, 2 sipërfaqe parku për kafshët shtëpiake, një për fitnes, 26 belvederë të rinj, pajisje të reja urbane e korsi për këmbësorë dhe shatërvanë./Shenja/

Exit mobile version