Fotot që supozohet se tregojnë një kamp ushtarak në Bjellorusi, ku supozohet se strehohen mercenarë nga grupi Wagner i Yevgeny Prigozhin, janë publikuar në rrjetet sociale, raporton media e pavarur ruse Sirena.
Sirena shkruan se kampet po ndërtohen në lagjen Asipovichi, në pjesën qendrore të Bjellorusisë dhe në jugperëndim të rajonit Makhiliv, transmeton Telegrafi.
Fotot e publikuara janë realizuar nga një banor i zonës. Fotot tregojnë tenda me shtretër dhe dysheme druri.
Grupi i monitorimit ushtarak bjellorus ‘Belarussian Hajun’ njoftoi se kishte numëruar rreth 298 tenda në imazhet satelitore të kampit dhe se çdo tendë mund të akomodonte deri në 30 persona.
“Duke marrë parasysh faktin se disa nga tendat kanë qëllime komunale, mund të themi se kampi mund të strehojë rreth 8000 njerëz”, shkruan Belarussian Hajun.
Të martën, presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko tha se Bjellorusia nuk po ndërton kampe për Wagner, por do të ndihmojë me strehimin nëse është e nevojshme.
“Ne nuk po ndërtojmë ende asnjë kamp. Por nëse ata duan, ne do t’i akomodojmë. Vendosni tenda nëse dëshironi. Por tani për tani ata janë në Luhansk në kampet e tyre. Ne u kemi ofruar atyre një nga kampet e braktisura. Ata janë të mirëpritur, gardhi është aty, çdo gjë është në vend. Vendosni tendat. Ne do t’i ndihmojmë me aq sa mundemi derisa të vendosin se çfarë të bëjnë”, tha Lukashenko. /Telegrafi/