Selektori i Kosovës, Franco Foda ka filluar tashmë punën e tij dhe në terren, duke synuar që të grumbullojë sa më shumë informacione për lojtarët që do t’i marrë fillimisht për ndeshjet miqësore të marsit.
I sapo-emëruari në postin e përzgjedhësit ishte prezent në ndeshjen në mes të Ballkanit dhe Malishevëvs, që përfundoi 2-0 në të mirë të kampionit në fuqi të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Duket se Foda ka mbajtur një shikim nga afër të Lumbardh Dellovës, që tashmë ka qenë i ftuar te Kosova, ndërsa me gjasë ka shikuar edhe talentin e malishevasve, Drilon Hazrollajn, që ka pranuar të veshë fanellën e Përfaqësueses tonë – përkundër kërkesave të larta të Kombëtares së Shqipërisë.
Këtë vizitë në këtë ndeshje e bëri të ditur Ballkani, duke postuar disa foto në llogarinë e tyre zyrtare në Facebook:
Sot kishim kënaqësinë ta kemi mysafir në Suharekë, trajnerin e Kosovës, Franco Foda dhe një pjesë të stafit të tij.
Përzgjedhësi i Kombëtares u prit nga presidenti ynë, Arsim Kabashi, i cili në shenjë nderimi, i dhuroi fanellën e Fc Ballkanit me emrin e tij.
Ne jemi të nderuar që vazhdojmë të përgadisim futbollistë që me nder e krenari mbrojnë ngjyrat tona përfaqësuese. /Telegrafi/